Rama për integritetin e deputetëve: Gjuetia e shtrigave ka përfunduar në vitin 1990 si filozofi

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama ka folur sërish sot për kërkesën e përsëritur të ndërkombëtarëve për të vendosur në lista kandidatë për deputetë me integritet.
Rama e cilësoi një histori bajate dhe banale teksa tha se problemet me disa individë janë adresuar.

“Unë kam përshtypjen që kujtesa më funksionon saktë kur them që komunizmi ka vdekur në vitin 1990 në Shqipëri, po ashtu dhe ‘gjuetia e shtrigave’ ka përfunduar në vitin 1990 si filozofi shteti, pushteti, shoqërie. Këto pyetje më duke pa vend, pa kuptim, pa lidhje, sepse realisht ajo që është për të ardhur keq, që ndërkohë që në Kuvendin e Shqipërisë unë kam parë e shoh gra shumë të zonjat me të gjitha atributet për të qenë lartësisht të respektuara, krejt në rregull nga çdo pikëpamje që lidhjet me këtë temë, kjo temë është bërë një këngë e padurueshme, duke kriminalizuar komplet një grup të tërë njerëzish. Kemi pasur probleme me disa individë, probleme që janë adresuar, kemi ligj për adresimin e këtij fenomeni, është shumë e qartë që interesi ynë është që t’u japim mundësi shqiptarëve të zgjedhin kandidatët më të mirë të mundshëm.
Është bërë shumë bajate dhe banale gjithë kjo histori. E kuptoj që miqtë dhe partnerët tanë ta thonë, ta kërkojnë në funksion të mbështetjes së një procesi që vazhdon, por procesi është i garantuar dhe ne nuk duhet të bëhemi pre e gjithë kësaj baltëlline ku zhysim përditë njëri-tjetrin sepse kanë kaluar në plan të dytë, të tretë njerëzit që bëjnë ligjet në Kuvendin e Shqipërisë. Janë njerëz të nderuar dhe respektuar që punojnë realisht.
Kush e bëri reformën në drejtësi, kriminelët? Kush? Kush i ka bërë të gjitha reformat, kush i ka kaluar në parlament? Kriminelët? Është realisht e tepërt, nuk kam fjalë për këtë. Është absolutisht e tepërt”, deklaroi Rama.





Skip to toolbar