Rama për paktin PD-LSI: Duan të lidhin Lulin me zinxhirin e Monikës për …

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot gjatë konferencës së përjavshme për ekonominë, marrëveshjen e nënshkruar dje mes PD dhe LSI.

Rama tha se Meta do falënderuar sepse ka thjeshtëzuar ekuacionin për referendumin, duke thënë se më 25 prill shqiptarët duhet të zgjedhin me drejtësinë apo me Ilir Metën. Sa i përket marrëveshjes parazgjedhore PD-LSI ai tha se plani është shumë i qartë, “duan të lidhin Lulin me zinxhirin e Monikës për llogari të Saliut dhe të Ilirit dhe pastaj sigurisht ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë reformën në drejtësi”.


“Në një farë mënyre Ilir Meta duhet falënderuar sepse ka sqaruar plotësisht ekuacionin e referendumit, i cili ishte një ekuacion i paplotë me vetëm njërën anë, që në 25 prill referendumin popullor do të shpërbëjë reformën në drejtësi. Tani Ilir Meta i fton shqiptarët në një referendum ku duhet të zgjedhin me drejtësinë apo me Ilir Metën. Me reformën në drejtësi deri në fund apo me Ilir Metën?

Zgjedhje më të qartë, më të drejtpërdrejt shqiptarët nuk mund të kenë më 25 prill dhe për këtë Ilir Meta duhet falënderuar. Sa i përket opozitës, është shumë e qartë për ata që shikojnë përtej asaj që duket, mjafton të shikojnë firmosjen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin. Plani është shumë i qartë, pse u firmos marrëveshja dje? Si mund të firmosin një marrëveshje paraelektorale dy parti që garojnë veç e vvec? Pse, për çfarë? Është shumë e thjeshtë, është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës për llogari të Saliut dhe të Ilirit dhe pastaj sigurisht ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë reformën në drejtësi ose për të marrë kokën e Lulit. Ka më thjesht se kaq.

Është shumë e qartë pse e duan Lulin të lidhur para zgjedhjeve, por këtu problemi nuk është Ilir Meta, në fakt në këtë pjesën e dytë, këtu problemi është Lulzim Basha që nuk ka këllqe, s’ka karakterin e një lideri që të mos fshihet as kur i tregojnë se çfarë do t’i bëjnë të nesërmen dhe as kur aleati i tij i madh thotë ‘unë amerikanët i kap për veshësh’. Është e qartë, por nuk mund t’ia kërkojmë sepse nuk është lideri, është thjesht menaxheri i një shoqërie aksionere me dy ortakë, me Ilir Metën, me Sali Berishën dhe me një noterë dhe përmbaruese, Monikën. Besoj jam i qartë”, deklaroi Rama.




Skip to toolbar