Rama thirrje të rinjve në Kukës: Investoni në turizëm, fitoni më shumë sesa puna në tokë të huaj

Më të fundit


KUKËS- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një takim me strukturat e PS në qytetin verilindor të Kukësit. Ai u shpreh se të gjitha zhvillimet e bëra mund të kthehen mbrapa nëse nuk vijon përmirësimi i vazhdueshëm i qeverisjes.

“Këto mund të kthehen mbrapa nëse ne nuk jemi vazhdimisht të gatshëm që të përmirësojmë mënyrën sesi qeverisim dhe sesi punojmë. Çdo skuadër sado e madhe të jetë kur mbaron një konkurs dhe fiton një trofe, të nesërmen vijon stërvitjen për t’u përgatitur për një rifillim nga e para. Gjithë ky territor ka qenë një arenë ku në të shumtën e herëve PS ka dalë e humbur. Sot jemi në situata krejt tjetër që do të thotë se njerëzit kanë filluar të kuptojnë se në fund të ditës kjo nuk është çështje tifozllëku. Përkatësia në një parti politike është logjikë jo thjesht pasion. Njerëzit kanë filluar të kuptojnë se këtu duhet parë se çfarë ofertash kam në këtë garë. Si një garë ku bëhet një ofertë dhe hynë shumë aktorë”, tha Rama.


Mes tjerash, shefi i qeverisë apeloi dhe u kërkoi të rinjve të investojnë në turizëm.

“Sot kryetarët e bashkive më thanë se kanë një problem që deri dje nuk u imagjinonte të ishte problem, që kanë kërkesa për leje ndërtimi. Kanë kërkesa për leje ndërtimi në qytet që do të thotë se ka njerëz që duan të blejnë apartamente në Kukës apo Tropojë që të shfrytëzojnë mundësitë që po krijon turizmi. Një i ri mund të fitojë disa herë më shumë se sa puna në tokë të huaj. Të gjitha rastet e provojnë këtë tani. Duhet të përpiqemi që të bëjmë më shumë, që pastaj industria e turizmit të kthehet në mirëqenie për shumë e shumë që thotë ‘është larg’. Turizmi ka fuqinë ta sjellë botën te dera, deri në mal. Nuk ke nevojë të mendosh si do të mbijetosh, duke prodhuar qumësht e patate dhe të mendosh ku do i shesësh. Sepse ti i shet ato prodhime aty, të vjen bota aty. Në këtë aspekt, kemi një të ardhme të ndritur, sepse Zoti e ka qëndisur këtë vend. E ka bërë ditën e diel, kur ka qenë pushim”, shtoi Rama.




Skip to toolbar