Rama thirrje vendeve të OSBE nga Mynihu: Kontribuoni për Ukrainën

AKTUALITET


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, flet si kryesues i OSBE për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, në Komisionin e Sigurisë, në Mynih të Gjermanisë.

Rama iu bëri thirrje të gjitha vendeve të OSBE të ofrojnë mbështetje për njerëzit, që jetojnë në kufirin e luftës, pasi sipas kryeministrit, vazhdojnë incidentet dhe njerëzit atje po jetojnë si në ferr.

“Vazhdojnë incidentet, sidomos gjatë natës, për shkak të mungesës së kapaciteteve për të monitoruar vijën kufitare në mënyrë më konstante. Iu bëj thirrje të gjitha vendeve të mbështesin ata njerëz, që jetojnë në atë ferr. Nuk do të kushtojë male me para, por disa kontribute shtesë nga vendet e OSBE, në mënyrë që të garantohet që askush të mos vazhdojë të luajë e të krijojë këto incidente. E gjitha kjo është siç u tha, por le të mos gënjejmë veten, sepse nuk është vetëm Ukraina, është edhe Gjeorgjia, Moldavia, por mbi të gjitha ka të bëjë me civilizimin tonë.

Për sa kohë Rusia do të jetojë me frikën e të qenit e rrethuar nga NATO, BE, të jetë e mbytur në këtë rreth, nuk do të ketë një zgjidhje përfundimtare, gjërat nuk do të përmirësohen. 16 vite më parë u mblodhët duke qenë shumë të shqetësuar për Ukrainën, dhe po 16 vite më vonë u mblodhëm sërish për Ukrainën”, tha Rama

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Richard, faleminderit që nuk bëre të njëjtin gabim që bëre me disa të tjerë. Megjithatë, ndërkohë që po dëgjoja gabimet që po bëje, po mendoja për disa gabime shumë më të mëdha. Kur Shqipëria luajti futboll në Paris, i vunë himnin e Andorrës. Të gjithë u çuditën. Pastaj, francezët e kuptuan që kishin bërë gabim dhe i kërkuan ndjesë Armenisë që kishin vënë himnin e gabuar. Kështu që faleminderit, por ka dhe më keq.

Unë isha 11 vjeç kur u krijua OSBE-ja dhe Shqipëria, jo vetëm ishte i vetmi vend që nuk mori pjesë, por ishte vendi që e denoncoi krijimin e OSBE-së si një shkallëzim të degjenerimit e të botës së perëndimit e të lindjes.

Ajo çfarë është mbresëlënëse është që vetë parimi themelues i OSBE-së është fjala kyçe, sovranitet, integritet territorial, të drejtat e njeriut dhe këto parime, sot po diskutohen dhe janë vënë gjithnjë e më tepër në diskutim, saç ishin aso kohe e kjo është një sfidë e madhe, një sfidë e jashtëzakonshme, në një kohë kur për njerëzit po ndodhin gjëra të tmerrshme.

Pata privilegjin të takoja Presidentin Zelensky dhe autoritete ukrainase në Kiev, por po kështu vizitova Stanica Lughanska, zonën atje e do të doja shumë që të sillja të gjithë votuesit e ekstremit të djathtë në Gjermani të shohin sesa e vështirë është jeta, që të kuptojnë për çfarë po ankohen, se sa e vështirë është jeta në Berlinin Lindor. Është tamam apokaliptike, me mijëra e mijëra njerëz që duhet të kalojnë nëpër një urë që më në fund, falë Zotit, u ndërtua.

Ura u ndërtua falë Presidentit, falë paraardhësit tim si kryetar i radhës, por është një urë që nxë vetëm një ambulancë dhe ka mesatarisht 10 mijë njerëz që kalojnë nëpër këtë urë në kushte të pamundura klimaterike. Shumica prej tyre janë të moshuar, të cilët duhet të kalojnë nga ana ku funksionojnë institucionet shtetërore ukrainase, për të marrë pensionin. Mendojeni, ambulanca nuk mund të shkojë deri në spital, sepse ende është e pamundur që të arrihet një marrëveshje për këtë. Ka pacientë që janë me sëmundje vdekjeprurëse e që duhet të ecin.

Megjithatë ka diçka për të thënë në mbrojtje të Presidentit dhe të qeverisë së re në Kiev, që ka përmirësime. Ka përmirësime sa i takon shkuarjes dhe qenies në kontakt e përpjekjes për të ecur përpara për zbatimin e asaj çka është tashmë baza, Marrëveshja e Minskut që ndoshta mund të mos jetë e mrekullueshme e nuk është e tillë, por është një marrëveshje, e cila është nënshkruar në rrethana precize, nuk ka pasur më mirë sesa aq në atë moment. Po kështu, edhe në përputhje me formatin e Normandisë.

Do doja t’ju tërhiqja vëmendjen për diçka. Përmirësim nënkupton më mirë sesa më e keqja, megjithatë, parafytyroni, pas takimit të formatit të Normandisë pati 20 mijë incidente dhe dhjetëra e dhjetëra viktima ende.

Misioni i posaçëm i monitorimit të OSBE-së po bën një punë të shkëlqyer se është e vetmja prani që njëfarësoj po respektohet dhe pranohet nga të dyja palët. Ndërkohë vazhdojnë incidentet, sidomos gjatë natës, për shkak të mungesës së kapaciteteve për të monitoruar në mënyrë më konstante të gjithë vijën kufitare.

Kësisoj do të përfitoj nga ky rast që t’u bëj thirrje të gjitha vendeve, sepse duket shumë bukur të flasësh sa shumë mbështetin të gjithë Ukrainën, por gjithashtu të mbështesësh ata njerëz, të cilët jetojnë në atë ferr, është po kështu e rëndësishme. Nuk do të kushtojë male me para, do të kushtojë disa kontribute shtesë nga vendet e OSBE-së, për të dhënë disa para më tepër për teknologji në mënyrë që të sigurohet survejimi gjatë natës, që të garantohet që askush të mos vazhdojë të luajë e të kryejë këto incidente që kanë ndodhur.

E fundit, po, e gjitha kjo është siç u tha, por le  të mos e gënjejmë veten, sepse nuk është vetëm Ukraina, është Gjeorgjia, është Moldavia, nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, Gjeorgjinë, apo Moldavinë, ka të bëjë  me civilizimin tonë e me atë që të gjithë përfaqësojmë dhe Rusinë.

Për aq kohë sa Rusia e kjo është diçka që historia së fundi duhet të na e kish mësuar, do të jetojë me frikën e të qenit e rrethuar, nuk do të ketë një zgjidhje përfundimtare. Pra, për aq kohë sa Rusia do të jetojë me frikën e të qenit e rrethuar nga NATO-ja, nga BE-ja e të jetë si të thuash e mbytur në këtë rreth, gjërat nuk do të përmirësohen. Ka dhe një element tjetër. Po kështu, Presidenti Zelensky nuk ka kohë, ka vetëm 4 vjet. Palët e tjera kanë shumë kohë. Kështu që kjo duhet marrë parasysh. Natyrisht, kjo nuk ka të bëjë me OSBE-në, apo me  mua. Natyrisht nuk na takon ne që t’u japim leksione të tjerëve. Kjo ka të bëjë me fuqitë e mëdha, ka të bëjë me drejtuesit e koalicionit tonë për të menduar për këtë, se ndërkohë që diskutonim, mu tha që 16 vjet  më parë, Zoti Pinchuk kishte mbledhur njerëzit për Ukrainën. E nuk më duket se pas 16 vjetësh gjërat janë bërë më mirë. Natyrisht, kjo është e hapur për diskutim. Saktësisht kështu, 16 vjet më parë u mblodhët duke qenë shumë të shqetësuar për Ukrainën. Ndërkohë 16 vjet më vonë keni një luftë, të gjithë kanë një luftë atje, kështu që nuk po pyes se çfarë do të ndodhë 16 vjet më pas, megjithatë, Richard mund të na ndihmojë me këtë. 



Skip to toolbar