Presidenti Ilir Meta përreth një orë e 20 minuta i është përgjigjur pyetjeve të prokurorit në lidhje me padinë kundër kreut të KED-së, Ardian Dvorani dhe tha se ka depozituar të gjitha dokumentet dhe provat që disponon për këtë rast flagrant sipas tij, duke kërkuar që prokuroria të veprojë pa qenë në presion politik.
I pyetur se çfarë ka dorëzuar në prokurori, referuar çantës së zezë të këshilltarit të tij, Meta deklaroi se ka dhënë sqarime plotësues në vijim të provave dhe dokumenteve që janë dorëzuar.
“Jemi këtu në respekt të pritjes suaj dhe natyrisht që nuk mund të largohesha pa respektuar edhe vëmendjen dhe durimin tuaj pavarësisht se për momentin ka çështje edhe më të mprehta. Me pak fjalë mund t’ju them se jam këtu në përgjigje të ftesës nga institucioni i prokurorisë pas kallëzimit penal që kam bërë për shtetasin Ardian Dvorani për dy vepra të qarta penale të përmbushura me dashje plotësisht prej tij, të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës. Kemi dhënë sqarime plotësuese në vijim të provave dhe dokumente që kemi dorëzuar. Rasti është tmerrësisht flagrant. Shpresoj që Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm dhe durim. Mendoj që është një provë e madhe për të ardhmen e reformës në drejtësi. Mund t’ju them se kushtetuta e thotë shumë qartë se Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë dhe se dispozitat kushtetuese zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejt përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Dhe lidhur me gjykatën Kushtetuese integriteti i së cilës është i një interesi mbarëkombëtar sepse është kjo Gjykatë që garanton dhe mbron sovranitetin e popullit shqiptar dhe sovranitetin e shtetit dhe interesat kombëtare. Dua të siguroj qytetarët shqiptarë se Presidenti i tyre ka zbatuar Kushtetutën”, deklaroi Presidenti, i cili theksoi se “ne nuk bëjmë presione, pavarësisht se çështja është shumë e rëndë”.
Prokuroria e Tiranës thirri të martën Presidentin, Ilir Meta për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me padinë e depozituar prej tij, ndaj kreut të KED-së, Ardian Dvorani, të cilin e akuzon për shkelje ligjore dhe marrjen e kompetencave në lidhje me emërimin e gjyqtares Arta Vorpsi si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, por edhe për të gjithë procesin e ndjekur nga KED për emërimet në këtë gjykatë. Presidenti Meta pretendon se kreu i KED-së me dashje ka shkelje afatet ligjore dhe dispozitat kushtetuese duke marrë kompetencat e presidentit dhe duke i bindur “urdhërave të partisë”. Presidenti Meta është marrë në pyetje nga prokurori i çështjes Alket Mersini. Është hera e parë që një president Republike thirret të dëshmojë në prokurori dhe këtë “mundësi” e ka presidenti Meta i cili është gjithashtu presidenti i parë që kërkohet të shkarkohet nga parlamenti përmes një hetimi parlamentar me pretendimin se ka shkelur Kushtetutën.