Rekomandimet e qeverisë, Çela thirrje drejtuesve të prokurorive

AKTUALITET


Është zhvilluar këtë të premte takimi i përcjelljes së rekomandimeve të qeverisë Prokurorit të Përgjithshëm për luftën ndaj kriminalitetit. Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela tha se rekomandimet e qeverisë kanë rol thelbësor në drejtim të përqasjes së prioriteteve e objektivave mes ekzekutivit dhe prokurorisë duke mundësuar menaxhimin e duhur të kapaciteteve njerëzore e teknike në funksion të përmbushjes së tyre. Sipas Çelës në takimin që u zhvillua ditën e sotme shfaqet vullneti i përbashkët për ndërmarrjen e angazhimeve në rang institucional për koordinimin e veprimtarisë  në luftën ndaj krimit. Ai i konsideron kyç rekomandimet për goditjen e krimit.

“Duke i konsideruar këto rekomandime si një moment kyç në drejtim të qasjes strategjike që institucionet duhet të kenë në goditjen e krimit, vitin e kaluar ndërmorëm masa konkrete për të rikonceptuar modelin tonë të veprimit në këtë aspekt.  Për herë të parë u miratua udhëzimi për zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave i cili u është dërguar për zbatim të gjithë prokurorive ndërkohë që u miratua edhe një plan veprimi nga ana jonë. Këto masa synuan rritjen e cilësisë së veprimtarisë së prokurorisë, me fokus marrjen e masave që do të konkretizonin këtë vullnet ndërinstitucional për realizimin e objektivave”, tha Çela.


Nga ana tjetër sipas Prokurorit të Përgjithshëm ka ende shumë punë për t’u bërë në drejtimin organizativ dhe matjes objektive të treguesve të prokurorive.

“Është e domosdoshme një përfshirje më e madhe e drejtuesve në ndjekjen e rekomandimeve përmes udhëzimeve të përgjithshme dhe atyre për çështje konkrete, ashtu si dhe përmes masave të tjera natyrës administrative që përveç se optimizojnë organizimin strukturor të zyrave në drejtim arritjes së zbatimit të tyre, krijojnë sisteme të brendshme të vlerësimit të zbatimit të rekomandimeve dhe impaktit në luftën ndaj kriminalitetit.  Nga ana jonë u forcua mekanizmi i monitorimit në drejtim të vlerësimit periodik të masave të marra nga prokuroritë dhe rezultateve të tyre. Duhet të theksoj këtu se për sistemin e prokurorisë mbetet një sfidë ndërtimi i një sistemi efikas të vlerësimit të performancës së zyrave në këtë aspekt ndaj objektiv mbetet standardizimi  i sistemit të vlerësimit të  masave të ndërmarra në drejtim të zbatimit të rekomandimeve nga prokuroritë, si komponent i rëndësishëm i vlerësimit të punës së drejtuesve me ndikim të drejtpërdrejtë në performacën e organit të prokurorisë. Kjo patjetër do të ndihmohej edhe nga një rikonceptim strukturor i rekomandimeve, që merr në konsideratë një sërë faktorësh që determinojnë mundësinë reale të  zbatimit të tyre por edhe që lejojnë matjen e treguesve përmes kritereve objektivë, çka do i ndihmonte të gjitha organet ligjzbatuese në përcaktimin e qartë të strategjive institucionale apo ndërinstitucionale”, tha Çela.

Në fund, Prokurori i Përgjithshëm i tërhoqi vëmendjen drejtuesve të prokurorisë që të vlerësojnë maksimalisht rekomandimet.

“Dua sot t’u tërheq vëmendjen drejtuesve të prokurorive për t’i vlerësuar maksimalisht rekomandimet dhe në vijim të hartojnë plane të qarta veprimi për ndjekjen e tyre, në zbatim edhe të udhëzimit përkatës”, u shpreh Çela.




Skip to toolbar