Pas akuzave të kreut te qeverisë se Presidenti Meta “ka paguar para të zeza për të përhapur në botë shpifje që sterrosin vendin”, vjen reagimi i fortë nga Presidenca.
Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, “Profeti i Kokoshkave po i përdor Fake News-et për të shmangur vëmendjen e publikut nga aferat skandaloze të biznesit të ri qindra milion euro të Arbitrazhit Ndërkombëtar”.
Reagimi i zëdhënësit të Metës:
“Fake News”-et që i publikon vetë përmes ish-avokatit në Romë, Profeti i Kokoshkave po i përdor për të shmangur vëmendjen e publikut nga aferat skandaloze të biznesit të ri qindra milion euro të Arbitrazhit Ndërkombëtar, që kërcënojnë seriozisht financat publike dhe taksapaguesit shqiptarë.
Shkelja flagrante e Kushtetutës dhe e ligjeve, për të paguar me lekët e taksapaguesve shqiptarë, biznesin e ri kriminal, përbëjnë përgjegjësi të rëndë penale për çdo zyrtar të shtetit shqiptar.
Profeti i Kokoshkave apo Gruaja e Bilalit ia ka marrë dorën pagesave në të zezë, jo vetëm për një foto elektorale, por në çdo sekondë të mbijetesës së tij në karrigen e pushtetit të blerë me banda dhe lekë të zezë prej katër vitesh.
Asnjë formulë dhe marifet nuk e shpëton nga përgjegjësitë e rënda që ka për kriminalizimin e pushtetit dhe bllokimin e integrimit europian.