Rindërtimi, Rama fton opozitën: Denonconi abuzuesit, do ndëshkohen rëndë

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e platformës online për aplikimin në programin e rindërtimit, u shpreh se në këtë program janë përfshirë edhe qytetarët të cilët nuk humbën shtëpinë. Rama tha se janë identifikuar në kohë rekord zonat për ndërtimin e banesave të reja në zonat e prekura nga tërmeti. “Sot 2 muaj nga tragjedia e tërmetit. Kërkojmë durim nga qytetarët, po punohet pa orar. Në këto 60 ditë kemi bërë një volum pune shembullor. Programi s’adreson vetëm ata humbën shtëpinë, por dhe të dëmtuarit. Pasi janë identifikuar në kohë rekord, zonat e rindërtimit, se duam të krijojmë një situatë të re, që në aspektin e familjes për të marrë një shtëpi më të mirë se ajo që kishte, në 95% të rasteve, se ka ca që i kanë pasur shumë të mira, dhe do ua bëjmë” , tha Rama.

Rama shtoi më tej, se qytetarët që do të zhvendosen në shtëpitë e reja, do të përfitojnë banesë në pronën e shtetit, ndërsa prona në shtëpitë që u prekën do t`u mbetet gjithashtu atyre. “Duam të krijojmë komunitete dhe për këtë ka pasur angazhim nga kryetarët e bashkive, që të komunikohet banorëve në zonat rurale dhe t’u bëhet e qartë se ka një avantazh të madh që të s’postojmë shtëpitë ekzistuese nga rrënojat e shtëpive ekzistuese në qendërza që krijojnë komunitet. Prona në shtëpitë e tyre që janë prekur mbetet e tyre. Ata do të marrin shtëpitë e tyre, në një pronë që s’është e tyre. Do të përfitojnë pronë. Nuk do të humbasin pronë. Do të përfitojnë në çdo aspekt, sepse nëse sot i kanë shtëpitë me distancë nga shërbimet dhe duhet që e gjithë famija të angazhohet që për të shkuar në shkollë fëmijët, deri tek të moshuarit që duan të shkojnë në spital, duke u afruar kanë mundësi të tyre. Toka e tyre në zonat rurale do të vazhdojnë ta punojnë. S’ka pse të zhvendoset e gjithë familja”, u shpreh Kryeministri.


Gjithashtu, kryeministri u shpreh se banesat e reja do të jenë më të sigurta. Ai tha se do të ndërtohen duke zbatuar të gjitha parametrat e rindërtimit, për të siguruar cilësi jete. “Duhet identifikuar zonat, për të parë me nikoqirllëk, për të mos shkuar në zona private për të mos bërë shpronësime, por në zona publike, por nuk është e thjeshtë se ç’po heqim. Përtej aspektit të bazës ligjore dhe të planifikimit, qëndron aspekti i garantimit të të gjithë parametrave të rindërtimit. Parametrat e ndërtimit do të jenë të padiskutueshme. Që të jenë anti sizmike, që nëse ndodh në të ardhmen një lëkundje e fortë, shtëpitë të jenë shumë herë rezistente dhe të garantojnë cilësi jete. Dhe në zonat urbane ku do ndërtojmë blloqe banimi, të jenë shembullore të të gjithë parametrave”, tha Rama.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje personave përgjegjës që do të merren me aplikimin e qytetarëve për programin e rindërtimit, që të shmangin abuzimet. Rama tha se do të ndëshkohet çdokush që aplikon për banesë në programin e rindërtimit, por që nuk është prekur nga tërmeti. Gjithashtu, kryeministri u drejtoi një apel edhe zyrtarëve, të cilët i paralajmëroi se duhet të bëjnë kujdes në këtë aspekt, pasi sipas tij, një grup i posaçëm do të merret me verifikimin në terren të abuzimeve. Në këtë pikë, Rama ftoi dhe opozitën për të bërë denoncime. “Kemi ndërtuar një grup që nuk e njeh asnjë njeri, që do të vëzhgojë procesin e rindërtimit dhe abuzimet. Këtu e ftoj opozitën të vëri ulërimën për çdo rast abuzimi”, tha ndër të tjera Rama.




Skip to toolbar