Rindërtimi/ Veliaj inauguron 11 shtëpi: Nga një xhep i fshehur, tani vetëm 15 minuta larg

AKTUALITET


Rruga e re, e cila ka shkurtuar distancën nga Tirana, nga një orë në vetëm 15 minuta, e ka përfshirë Krrabën në listën e destinacioneve të preferuara, jo vetëm për kryeqytetasit, por edhe për çdo vizitor që dëshiron të kalojë një fundjavë mes bukurisë që të fal natyra, si dhe ajrit të pastër dhe prodhimeve bio. Krraba ishte sot ndalesa e turit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi të gjithë qytetarët të shijojnë atraksionet turistike të zonës.

“Jam shumë entuziast për të gjithë punën që kemi bërë në Krrabë. Ka qenë ai ‘xhepi’ që merrte një orë nga Lapidari të vije në Krrabë, ndërsa sot vihet për çerek ore. Ftesa për të gjithë banorët e Tiranës është: Nëse doni ushqime bio, ajër të pastër, të ecni pak në mal, nëse doni të shkoni tek Shpella e Pëllumbasit, tek Ujëvara, vizitoni Krrabën! Krraba, Shëngjergji, Zall Bastari janë kthyer në një kurorë të Tiranës, e cila vetëm të mira sjell. Ata që vijnë nga Tirana lënë këtu pak shpenzime, pra kontribuojnë në ekonomi, por marrin mbrapa shumë më shumë seç lënë”, u shpreh Veliaj.


Paralelisht me investimet në infrastrukturë, në Krrabë po ecën edhe procesi i rindërtimit, ku vetëm në këtë njësi administrative janë planifikuar të ndërtohen nga e para 11 shtëpi të rrënuara plotësisht nga tërmeti i 26 Nëntorit. Në njërën prej tyre, atë të Ymer Ballës, kryebashkiaku Veliaj theksoi se brenda Vitit të Ri gjithçka do të jetë gati, që edhe kjo familje të marrë çelësat e shtëpisë së re.

“Për 20 ditë do jemi gati, jo vetëm me tënden, por me të gjitha shtëpitë që kemi në proces. E di që ka shumë njerëz që thonë, këtë punën e shtëpive: ‘hë se një shtëpi është’, por shtëpia është gjëja e më e rëndësishme e njeriut. Kur ke nga 4-5 vila, nuk të hyn në sy. Por kur ke vetëm një shtëpi dhe ta merr tërmeti, bëhesh shumë serioz në këtë temë. Ne jemi seriozë dhe nuk ka rëndësi nëse janë 400 kantiere, 500, apo 1000. Ajo që për ne ka rëndësi është t’i mbarojmë të gjitha dhe deri për Vit të Ri, të kemi kryer të gjitha pagesat, siç kemi bërë shumicën, por edhe dy shtëpitë e fundit që kanë ngelur”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se në këtë zonë janë planifikuar të ringrihen edhe 3 pallate të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. “Një pallat do e bëjmë nga e para. Do shohim mundësinë edhe për dy pallatet e tjera, pra ta bëjmë nga fillimi të gjithë lagjen te ish-pallatet e Minatorëve,” tha Veliaj, duke theksuar se e nderon fakti që bashkia u ka shërbyer të gjithëve pa dallim, të majtë e të djathtë.

Më herët, Veliaj zhvilloi një takim edhe me stafin e Njësisë Administrative, ku kërkoi përmbylljen e të gjitha listave të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Ai vizitoi gjithashtu edhe qendrën shëndetësore të Krrabës, e cila është nën rikonstruksion total, pasi nuk ishte vënë dorë prej dekadash. Kryebashkiaku ndaloi edhe në disa nga bizneset e zonës, si dhe në fermën e bletërritësit Halit Bajrami, i cili me mjaltin që prodhon furnizon disa nga restorantet dhe strukturat hoteliere më në zë të Tiranës. Kreu i Bashkisë së Tiranës u ndal edhe në Bërzhitë, ku zhvilloi takime me stafin e Njësisë Administrative, si dhe me disa biznese të zonës.




Skip to toolbar