Rrëfimi i Geri Kokalarit për ‘trampisten’ e Berishës: Babai i saj në komunizëm dhe historia në SHBA

Më të fundit


Aktivisti i njohur Geri Kokalari, në një intervistë për gazetën Dita, flet për shfaqjen në Tiranë të “shpëtimtares” së Berishës, Evi Kokalari, e cila është shitur në media si një personazh i rëndësishëm në SHBA.

Ai tregon a është ajo vërtetë një pasardhëse e Musine Kokalarit, apo përfaqësuese e Partisë Republikane amerikane dhe së fundi, se sa mundet një si Evi Kokalari të ndryshojë fatin politik të Berishës dhe familjes së tij.


– Zoti Kokalari, një zonjë me mbiemrin Kokalari është shfaqur kohët e fundit në Shqipëri, në mbështetje të zotit Sali Berisha, i cili, sikurse tashmë e dinë të gjithë është shpallur person non grata bashkë me familjen e tij nga DASH, njoftuar kjo nga vetë Sekretari amerikan i Shtetit, zoti Blinken. Lexuesit e gazetës DITA më pyesin se çfarë lidhje ka Evi Kokalari me Gary Kokalarin, i cili është një denoncues punlik i krimeve të Sali Berishës prej shumë vitesh. Disa e përshkruajnë atë si një aktiviste të famshme shqiptaro -amerikane. A jeni i njohur ju me të?

– Po, e njoh sepse nëna ime ishte aq e sjellshme sa ta merrte në shtëpinë e saj kur Evi erdhi për herë të parë në Amerikë, por unë nuk kam pasur asnjë kontakt me të për shumë vite.

Ajo që di gjithashtu është se duke filluar nga më shumë se një shekull më parë, familjarët e mi më të afërt në Amerikë janë përfshirë ngushtë në çështjet e komunitetit shqiptaro -amerikan dhe unë kam ndihmuar në vazhdimin e kësaj trashëgimie për më shumë se tre dekada.

Gjyshi, babai, nëna dhe unë  themeluam dhe drejtuam shumë prej organizatave shqiptaro-amerikane që ishin angazhuar në aktivitete qytetare, kulturore, humanitare, politike, përfshirë lobimin për Kosovën dhe luftën ndaj komunizmit, por Evi Kokalari nuk ka qenë pjesë e ndonjë prej këtyre përpjekjeve. Kështu që unë nuk di që ajo të ketë aktivitet në Amerikë sa i përket çështjes shqiptare.

Ndoshta ajo pretendon famë nga ndonjë aktivizim i vërtetë ose i perceptuar brenda Partisë Republikane, duke u përpjekur ta portretizojë veten si person i Partisë Republikane apo person i Trump-it për Shqipërinë. Tani, nuk di të them çfarë mund ta lidhë një si atë me Trump-in, përveç ndonjë pozimi për fotografi, por nuk do isha i sigurtë nëse ai ia ka dëgjuar ndonjëherë emrin.

Është e qartë që nëse ata do kishin ndonjë marrëdhënie të ngushtë siç pretendohet, duhet të ishte e lehtë për të që ta bënte Donald Trumpin apo Partinë Republikane ta lëshonte një deklaratë në mbështetje të Sali Berishës; nuk ka pse të mbështeten tek një përfaqësim çfarëdo. Do të isha shumë i befasuar nëse kjo do të ndodhte, por edhe nëse ndodh, unë do ta njihja Donald Trumpin apo zyrtarë të tjerë republikanë me ato që di për Sali Berishën, ashtu siç bëra me kongresmenin Zeldin.

Në mirëbesim, mund t’ju them se kam pasur një takim me Donald Trump-n në zyrën e tij në Trump Tower shumë vite para presidencës së tij dhe gjithashtu në një rast tjetër; ne kemi studiuar të dy për biznes në Shkollën Wharton, edhe pse në periudha të ndryshme. Unë gjithashtu e njihja vëllain e tij, Robertin, dhe kisha marrëdhënie shoqërore dhe biznesi me të; jam mjaft i familjarizuar me aktivitetet e biznesit të Organizatës Trump që datojnë në kohë para se Donald Trump të ishte një emër jo i zakonshëm.

E kam votuar Trump-in dy herë. Herën e parë sepse besoja se politika e tij tatimore do të stimulonte rritjen ekonomike të SHBA, megjithëse kisha shqetësime për temperamentin e tij për të shërbyer si President. Herën e dytë, sepse i vetmi opsion tjetër në fletë-votim ishte një plak i fshehur në një bunker, kështu që unë e shikoja Trump-in si më të voglin nga dy të këqijat, por më duhej të mbyllja hundët me dorë kur e votova.

Duke thënë të gjitha këto, unë jam dyshues për të ashtuquajturit Trumpers që ndjekin verbërisht Donald Trumpin si zombie, sepse duket se shumica e tyre nuk arrijnë të kuptojnë se Trump nuk ka ideologji politike. Ai ka shfaqur karakteristikat e një narcisti malinj dhe ideologjia e tij e vetme e vërtetë është ajo që është në interesin më të mirë të vetë Donald Trump; gjithçka tjetër është dytësore për të – përfshirë interesat e Shteteve të Bashkuara.

Për shkak të mashtrimeve të tij jo-presidenciale, fëminore, ai vetë duhet fajësuar për humbjen e zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe për dhënien e kontrollit të Senatit te demokratët. I paralajmëroj ata që kërcejnë për një pozicion brenda orbitës së Trump se do të përfundojnë si molat rreth një flake që përfundimisht do t’i djegë.

Pra, nëse “fama” e Evi Kokalarit në Shqipëri si “aktiviste” buron nga kjo lloj mbështetje e saj ndaj Donald Trump-it, ajo duhet këshilluar të shikojë mirë pas. Çuditem kur shoh se si dikush mund të magjepset me Berishën dhe Trumpin; të dy janë të njohur për shaka irracionale, përhapin  mospërputhje faktike dhe kanë sjellje egocentrike, por ata ndryshojnë në diçka; na pëlqen apo jo, Trump mbetet një faktor politik ndërsa Berisha nuk është as një puçërr në bythën e Trump-it.

– Atëherë sa mundësi ka zonja Evi Kokalari që të shpëtojë Sali Berishën nga përballja me Departamentin Amerikan të Shtetit?

– Unë mendoj se ka më shumë shanse që ajo tē jetë Presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara. Unë di atë që di për Armo, Albpetrol, Gerdec, AEY dhe kaosin e vitit 1997; kushdo që është i njohur me faktet dhe rrethanat e atyre ngjarjeve dhe mbështet akoma Berishën ose nuk ka kapacitetin mendor për të kuptuar rëndësinë e atyre çështjeve ose është komprometuar rëndë.

Si rezultat i sanksionimit nga Departamenti i Shtetit për korrupsion, Berisha tani po vepron si një kafshë e plagosur që gulçon për ajër dhe në dëshpërimin e tij ai do të përpiqet të bëjë gjithçka për ta rikthyer veten në sytë e Uashingtonit. Nëse më tregon qoftë edhe një person që mendon se ka ndonjë mbështetje domethënëse për Berishën në Uashington, unë do të provoj që ky person është budalla ose i çmendur.

Me sa di unë, edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, me përjashtim të një elementi të vogël periferik, shumica e shikojnë tashmë Berishën si një neandertal. Bazuar në përvojën time, besoj se Berisha ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një gënjeshtar patologjik dhe i pabalancuar mendërisht. Sot me PD-në që e trajton si të dëbuar, ai mund të quhet përfundimisht humbës.

Për të qenë të qartë, Trump dhe partia republikane aktualisht nuk kanë fuqi të anulojnë sanksionet e Departamentit të Shtetit ndaj familjes Berisha, por edhe nëse Trump hyn në garë dhe fiton zgjedhjet e ardhshme – është e pamundur të mendosh se Trump do investohej për të ndihmuar një person që është sanksionuar për korrupsion, nëse dosja e Berishës vendoset ndonjëherë në tryezën e tij. Unë di si ta shpreh zërin tim në Uashington, e kam bërë më parë për kauzat shqiptare dhe do ta bëj përsëri, veçanërisht nëse do të duhej të thoja të vërtetën për Berishën. Askush – asnjë Kokalari, asnjë Berisha dhe asnjë Trump – nuk më pengon ta bëj këtë.

– Evi Kokalari thotë se ka lidhje me Musine Kokalari. Çfarë mendon për këtë?

– Nëse kjo është e vërtetë, do të më duhej ta quaja një hipokrizi sepse babai i saj, Dr. Petrit Kokalari, ishte një anëtar me teserë i partisë komuniste dhe e di këtë sepse ai është i listuar në Drejtorinë e CIA -s si zyrtar i partisë komuniste dhe drejtor i një instituti mjekësor gjatë epokës komuniste në Shqipëri.

Emri i askujt nuk ka hyrë në atë libër pa qenë një person që i premtonte besnikëri Enverit. Dhe Petriti është Kokalari i vetëm në atë libër. Unë e them këtë me bindje pasi kam biseduar gjithashtu me të afërm dhe të tjerë që e njihnin dhe që më kanë thënë se Petriti mburrej se ishte i afërm i Enver Hoxhës gjatë një kohe kur kjo ishte në dobi të tij.

Sali Berisha ishte gjithashtu i njohur për shprehjen e admirimit të thellë për Enverin, dhe unë e di që Saliu kishte një lidhje personale me Petrit Kokalarin; Saliu ma ka thënë këtë në një prej takimeve të mia të hershme me të.

E kuptoj që gjatë komunizmit në Shqipëri shumë njerëzve u është dashur të bëjnë kompromis me Enver Hoxhën për të pasur një jetë më të mirë, dhe nuk është e drejtë të gjykosh fëmijën nga veprimet e babait. Por do të theksoja  se ndërsa Petrit Kokalari shijonte frytet e të qenit në anën e privilegjeve të Enverit, anëtarët e tjerë të familjes Kokalari, si Musineja dhe Vera, po kalbeshin në burg, ndërsa Kokalarë të tjerë po dekompozoheshin në tokë me nga një plumb në pjesën e pasme të kokës, siç ishte fati i Syrja Kokalarit, babait të Verës dhe vëllait të gjyshit tim, apo Mumtaz dhe Vesim Kokalari, vëllezërit e Musinesë.

Pra, Evi Kokalari ka të drejtë të ndihet krenare që ndan mbiemrin e familjes Kokalari me Musinenë, dhe nuk e përjashtoj mundësinë që mund të ketë rënë preh e manipulimeve të Berishës. Sidoqoftë, nëse ajo po përpiqet në një farë mënyre të përdorë shkëlqimin e  Musinesë si një heroinë kombëtare për të çuar përpara interesat e Sali Berishës, një njeri që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të minuar demokracinë e Shqipërisë, unë do ta konsideroja këtë blasfemi dhe një turp për emrin e familjes sime.

Jam krenar që emri Kokalari është njohur dhe respektuar si në Shqipëri ashtu edhe në Komunitetin Shqiptar Amerikan për dekada, por kjo nuk ishte për shkak të ndonjë gjëje të bërë nga Petrit ose Evi Kokalari.




Skip to toolbar