Rubin: Ka njerëz në Rusi që nuk duan ta shohin Maqedoninë e Veriut në BE

BOTA


Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, u ka thënë të martën krerëve institucionalë në Maqedoni të Veriut se duhet të punojnë me vendosmëri në parandalimin e përhapjes së dezinformatave.

Ai është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi dhe Ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovka, me të cilët ka diskutuar për dezinformat ruse dhe kineze dhe ndikimin e tyre ndaj gjendjes së sigurisë.

“Është e qartë se burimi kryesor i kërcënimit në këtë pjesë të botës është dezinformata e gjeneruar nga Rusia…presidenti (rus, Vladimir) Putin mendoi se mund të pushtonte Ukrainën dhe të ndante Evropën, por ai dështoi. Por kjo nuk do të thotë se Rusia nuk vazhdon të përhapë ‘helmin’ e dezinformimit dhe ndarjes”, ka thënë Rubin.

Duke folur për Rusinë, Rubin ka thënë se është i sigurt se në Kremlin ka njerëz që nuk duan që Maqedonia e Veriut të përparojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Jam i sigurt se ka njerëz në rajon, dhe në Kremlin, që nuk duan përparim në procesin që do t’i lejojë Maqedonisë së Veriut të ecë përpara drejt BE-së. Unë jam i sigurt se ata janë ulur diku duke menduar se çfarë të bëjnë për ta bërë atë një problem dhe gjithçka që mund të them është se Qeveria këtu do të punojë me ne për të krijuar një qasje më të gjerë shoqërore për trajtimin e dezinformimit, si institucionet, ligjet, standardet, e tjera”.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë masa për t’u përballur me efektet e dëmshme të dezinformatave që, sipas tij, kanë për qëllim të fusin frikë dhe pasiguri në popullatë, për të minuar demokracitë e tyre dhe në mënyrë të pandershme, manipuluese, në dëm të interesit publik dhe mirëqenies së qytetarëve, për të përhapur ndikime te të tretët.

“Qeveria qëndron e vendosur në luftën kundër dezinformimit dhe po krijon vazhdimisht partneritet në këtë betejë globale, me partnerë strategjikë, me shërbime të pavarura të verifikimit të fakteve, me institucionet vendase, me organizatat mediatike dhe me median. Vetëm me qasje të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse të të gjitha palëve të interesit në shoqëri do të mund të përballemi me veprimet e dëmshme të dezinformatave”, ka deklarauar kryeministri Kovaçevski.

Për rreziqet nga dezinformatat ruse ka folur edhe Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

“Kërcënimet hibride, duke përfshirë dezinformimin, synojnë të ulin elasticitetin tonë shoqëror dhe të shkaktojnë ndarje të brendshme dhe mosbesim të qytetarëve tek institucionet dhe efikasiteti i tyre. Prandaj duhet të kemi një qasje të përbashkët që bashkon përpjekjet e të gjithë aktorëve të shoqërisë në përballimin e kësaj sfide”, ka thënë Petrovska.



Skip to toolbar