Sokol Balla: Rudina, Pasqyra e trishtë e Partisë

#NËRADAR


Nga Sokol Balla

Të mërkurën pasi emisioni Real Story përfundoi, një miku im më shkruajti me shaka: “Emisionit i ra audienca, se Rudina s’bën më gafa”. Kjo rritje e shpejtë eksponenciale e kësaj vajze në dukje të brishtë, por me forcën që i imponon Tropoja dhe logjikën Uashingtoni, m’u kujtua kur të enjten, pak orë pas emisionit një djalë i ri sulmoi verbalisht por vetëm nga pak centimetra larg, një i ri militant i PD, Rudina Hajdarin. T’i thuash Rudinës a e njeh të atin, është t’i kujtosh asaj kur ishte vetëm dhjetë vjeç dhe e tërhiqnin të hutuar në shesh në 14 shtator, pas arkivolit të të atit, që partia e tij e përdori deri në fund atë ditë, për të shembur derën e Kryeministrisë dhe tentuar të merrte pushtetin me dhunë. I riu që e sulmoi me siguri nuk e njeh Azem Hajdarin dhe historinë e tij rebele në partinë që ai vetë themeloi e që ja vodhën pak ditë më vonë. Që prej 14 shkurtit 1991 kur Sali Berisha u zgjodh me një procedurë të diskutueshme përballë tij dhe Meksit, i ndjeri Hajdari nuk pushoi përpjekjen e tij për një parti tjetër nga ajo që krijoi, që e përjashtoi së paku dy herë dhe e përdori edhe të vdekur.


Sot, 21 vjet nga ikja e tij, sjellja e PD nuk ka ndryshuar, por ajo e familjes politike Hajdari, po. Raporti i Rudinës në pasqyrën politike të familjes, është i qetë dhe normal. Ajo është sot bashkëkryetare e dy komisioneve, një politik dhe një kuvendor dhe drejton një grup deputetësh, që kur zgjohen në mëngjes, vishen si është koha në Uashington dhe jo në Tiranë. Brenda dy vjetësh reputacioni i saj, është forcuar, ndryshe nuk do të “meritonte” sulme të personalizuara si ai në shkollën në Shkodër. Rëndësia e saj është e tillë, saqë zyrtarë ndërkombëtarë që vizitojnë Tiranën, takojnë atë dhe jo Presidentin e Republikës. Në kushte të ngjashme me Partinë, i ati i saj 25 vjet më parë, pinte birra i trishtuar vetëm me drejtorin lokal të fondacionit Kondrad Adenauer. Rudina është në rregull dhe më partinë që themeloi i ati. Ajo është pasqyra ku krerët përgjegjës për aksionin “revolucionar” të këtij viti, shohin gjërat që nuk duhet të kishin bërë. Ose më saktë sjelljen që duhet të kishin, por që nuk e kanë dot, para një ndryshimi thuajse “normal” pushteti pas tetë vitesh të PS. Dhe kjo sigurisht është frustruese.

Frustrimi i të riut demokrat, është pjesë e frustrimit kolektiv të PD dhe militantëve të saj, përballë dështimit të madh të një aksioni që do sillte revolucionin, por që siç e tha idhët dhe bukur Manjani, “nxori Opozitën nga Parlamenti, për ta futur (të mërkurën), në një hotel. PD, ashtu si 21 vjet më parë, mendon që faji nuk është i lidershipit të PD, që mori vendimin, por i Hajdarit që e theu atë dhe sot jo vetëm është në Kuvend, por është vendimtare, bashkë me të sajët, në pika delikate të Reformës në Drejtësi, që u lanë ashtu nga partia që pasi e përjashtoi, tani po e sulmon. Është vendimtare gjithashtu edhe në reformën zgjedhore, në të cilën Hajdari është kryetare bashkë me Gjiknurin e PS, aq të anatemuar nga selia blu për vjedhje votash, sa atij dhe jo Rudinës, të mërkurën Ivi Kaso i la në dorë propozimet e opozitës.

Frustrimi i të riut demokrat është thellë thellë aprovimi frojdian që ai i bën dikujt që ka qenë në partinë e tij, që bën diçka që prodhon rezultat, pavarësisht sa i kontestueshëm mund të jetë ai. Është një thuajse-duartrokitje përballë asgjësë që akoma vjen nga Selia Blu, lidershipi i së cilës mburret në mëngjes nga amerikanët për një akt të pandodhur, dhe që nuk ndodhi sërish: rikthimi në sistem. Frustrimi i të riut shkodran, është i justifikueshëm pasi demokratët konservatorë nuk dinë akoma nëse partia e tyre do kthehet në sistem, ku siç tha dje Grida Duma “është rruga e vetme për të mundur Edi Ramën”, apo me luftë siç tha Doktori nga llogorja e Çim Pekës.

Rudina Hajdari e brishtë, e ftohtë dhe e qetë, është pasqyra e Lulzim Bashës, aty ku si tek pasqyra e përrallës së Borëbardhës, i thotë atij se është ende larg së qeni më i miri me i bukuri, dhe gati për të qenë kryeministër.

Ndaj në pamundësi për ta mundur pasqyrën, po mundohen ta thyejnë atë. Ndoshta jo me urdhër, por me klimën negative të sulmeve fatva, me mallkime politike, që kthehen pastaj në urdhra në psikikën e lodhur të një të riu të frustruar nga dëshira për revolucionin e tij të munguar.

I riu duhet mirëkuptuar, ndërsa PD nuk e ka më luksin ta keqkuptojmë. Ajo na duhet dhe na duhet si Rudina. Por me nxitim (për të), qetësi dhe dashuri.

Në çdo rast Rudinën tashmë e kemi.




Skip to toolbar