Sera me kanabis u “hëngri” kokën/ Rrumbullaku shkarkon drejtorin e Policisë së Beratit. Përjashtohen dhe 7 efektivë

AKTUALITET


Shkarkohet nga detyra drejtori i Policisë së Beratit, Edmond Tarkaj pas zbulimit të serës me kanabis në fshatin Rërëz në një operacion të finalizuar rreth dy javë më parë.

Policia e Shtetit njofton se atij i është ulur edhe grada për 6 muaj teksa është transferuar në Akademinë e Sigurisë.


Vendin e Tarkajt do e zërë Kastriot Skënderaj i cili pritet të marrë detyrën e Drejtorit të Policisë së Beratit.

Për mosevidentimin e serave me kanabis në Berat, policia gjithashtu vendosi edhe përjashtimin nga rradhët e saj të 7 shefave në kiomisariatin e Beratit si dhe në stacionin e policisë në Dimal.

Ndërsa, njoftohet gjithashtu se është vendosur ulja në gradë, për një periudhë 6-mujore, për zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, Drejtues Sh. Xh. Është vendosur dhënia e masave disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për 8 punonjës policie. Dhe, afati i gradimit është shtyrë me dy vite për 2 punonjës të tjerë policie.

Kujtojmë se fillimisht  zbulimi i serës në Berat i ka “ngrënë kokën” kreut të policisë së këtij qyteti. Edmond Tarkaj i cili u zëvendësua nga Kastriot Skënderi.

Gjithçka ndodhi pasi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thelloi hetimet mbi përfshirjen e punonjësve të policisë në këtë skandal, ku një serrë ishte kthyer në bazë të rëndësishme të mbledhjes së përpunimit të kanabisit, gjë e cila bëhej përmes një numri të madh punëtorësh ditorë.

Drejtori i Përgjithshëm ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, të 7 punonjësve të Policisë, konkretisht:

  1. Kryekomisar Baki Musaku, me detyrë Shef Sektori për Krimet, në DVP Berat;
  2. Kryekomisar Sokol Lazaj, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Berat;
  3. Komisar Ardit Hasanbegaj, me detyrë Shef i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat;
  4. Nënkomisar Artan Musaj, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Dimal;
  5. Nënkomisar Miço Rakazija, me detyrë Specialist për Krimet, në Stacionin e Policisë Dimal;
  6. Inspektor Vladimir Toska, me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal;
  7. Inspektor Gazmend Sulaj, me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal.

Njoftimi i policise:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mesditën e sotme, zhvilloi një analizë pune me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Gjatë analizës, Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se pavarësisht se informacioni përmes të cilit u godit veprimtaria e organizuar e kultivimit të kanabisit në sera, në territorin e fshatit Rërëz, ishte tërësisht i strukturave të posaçme për hetimin e krimit të organizuar, në Policinë e Shtetit, mosevidentimi i kësaj paligjshmërie të hapur, nga vetë strukturat vendore të Policisë së Beratit, është tërësisht i patolerueshëm dhe i ndëshkueshëm.

Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka zhvilluar dhe përfunduar një hetim të thelluar, në përfundim të të cilit, bazuar në shkeljet e rënda administrative që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrës, ka vendosur shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, Drejtues i Parë Edmond Tarkaj, uljen në gradë për 6 muaj dhe transferimin e tij në Akademinë e Sigurisë.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur për emërimin e Drejtuesit të Parë Kastriot Skënderaj, në detyrën e drejtorit të ri të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Në vijim, bazuar në shkeljet administrative dhe në mospërmbushjen e detyrave funksionale, Drejtori i Përgjithshëm ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë, të 7 punonjësve të Policisë, të nivelit të parë dhe të nivelit të mesëm drejtues, konkretisht:

  1. 1. Kryekomisar B. M., me detyrë Shef Sektori për Krimet, në DVP Berat;
    2. Kryekomisar S. L., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Berat;
    3. Komisar A. H., me detyrë Shef i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat;
    4. Nënkomisar A. M., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Dimal;
    5. Nënkomisar M. R., me detyrë Specialist për Krimet, në Stacionin e Policisë Dimal;
    6. Inspektor V. T., me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal;
    7. Inspektor G. S., me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal.

-Është vendosur ulja në gradë, për një periudhë 6-mujore, për zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, Drejtues Sh. Xh.

-Është vendosur dhënia e masave disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për 8 punonjës policie.

-Është vendosur shtyrja e afatit të gradimit, me 2 vjet, për 2 punonjës të tjerë policie.

Në fund të analizës, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar nga të gjitha strukturat e Policisë në qarkun Berat, angazhim, përkushtim, profesionalizëm, bashkëpunim me qytetarët, performancë, reagim në kohë dhe zgjidhje të problematikave në bazë të kompetencave që iu jep ligji.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është i vendosur për të ndëshkuar cilindo nga radhët e Policisë që abuzon me detyrën dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje dhe abuzim që mund të kryhet nga punonjësit e Policisë, duke iu garantuar reagim të mënjëhershëm, profesional dhe ligjor.




Skip to toolbar