Serbia dhe disa vende të tjera shitën kriptovaluta false, Europol nis hetimin

BOTA


Europoli ka njoftuar se autoritetet policore dhe gjyqësore nga Serbia, Bullgaria, Qiproja dhe Gjermania, me mbështetjen e Europol-it (Agjencia Evropiane e Policisë) dhe Eurojust-it (Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale), kanë nisur një hetim kundër grupeve të krimit të organizuar për mashtrimet që kanë të bëjnë me investimet përmes internetit.

Ky rrjet kriminal, i cili përbëhet nga disa grupe të ndryshme kriminale që operojnë përmes qendrave të thirrjeve (“Call center”), ka joshur viktimat, kryesisht nga Gjermania, për të investuar shuma të mëdha parash në skema të rreme të kriptovalutave.


Për këtë arsye, Europoli ka krijuar një Grup punues operues për të mbështetur hetimin ndërkufitar, thuhet në një njoftim të Europolit.

Në kuadër të aksionit janë arrestuar 15 persona, 14 prej tyre në Serbi dhe një në Gjermani, si dhe janë pyetur 261 persona, disa prej të cilëve janë ndjekur penalisht (42 në Bullgari, dy në Qipro, tre në Gjermani dhe 214 në Serbi).

Gjithashtu, janë kontrolluar 22 lokacione (pesë në Bullgari, dy në Qipro, 15 në Serbi) duke përfshirë katër qendra të thirrjeve dhe 11 zyra në Serbi, dy zyra në Qipro, dy kompani dhe tre zyra në Bullgari.

Janë sekuestruar tre vend-deponime online me rreth një milion dollarë në kriptovaluta dhe rreth 50 mijë euro të gatshme, tre automjete, pajisje elektronike dhe kopje rezervë e të dhënave, si dhe dokumentacioni.

Aktualisht vlerësohet se dëmi financiar i viktimave gjermane është mbi dy milionë euro, ndërsa viktima ka edhe në vende të tjera si Zvicër, Australi dhe Kanada. Hetimi sugjeron se numri i rasteve që nuk janë raportuar është shumë më i lartë, që do të thotë se fitimet e paligjshme të realizuara nga grupet kriminale mund të jenë në qindra miliona euro, tha Europoli.

/REL




Skip to toolbar