Sfidat e politikës së jashtme të Biden në zgjedhjet e 2024

BOTA


Dhuna në Gazë dhe lufta në Ukrainë e po shënojnë një fund viti të trazuar dhe të përgjakshëm, si dhe kanë vënë në sprovë qëllimet e politikës së jashtme të Presidentit Joe Biden.

“Udhëheqja amerikane është ajo që e mban botën të bashkuar. Aleancat amerikane janë ato që mbajnë Amerikën, të sigurt. Vlerat amerikane janë ato që na bëjnë një partner me të cilin vendet e tjera duan të punojnë”, thotë Presidenti Biden.


Presidenti Biden ka mbështetur Ukrainën në luftën e saj gati dyvjeçare kundër agresionit të Moskës. Por, përkrahja e mëtejshme amerikane është bllokuar nga republikanët që kërkojnë politika më të ashpra për të mbrojtur kufirin e Shteteve të Bashkuara.

Sa i përket Kinës, Presidenti Biden ka arritur të menaxhojë një rivalitet intensiv pa u futur në konflikt, duke i bërë trysni Pekinit veçanërisht në konkurrencën dhe sigurinë e teknologjisë së lartë, duke forcuar aleancat në Evropë dhe me vendet e Indo-Paqësorit.

“Kemi katër baza të reja në Filipine që mund t’i përdorim. Ne mund të ndihmojmë të afrojmë Japoninë dhe Korenë e Jugut. NATO tani ka një mision në Indo-Paqësor, diçka që ende po merr formë, por është qartësisht e pranishme. Nëpërmjet partneriteteve me Australinë, Britaninë, Indinë, Japoninë të njohura si AUKUS apo Quad, ne kemi pasur sukses të madhë”, thotë Robert Daly, drejtor i Institutit Kissinger pranë Qendrës Wilson për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, udhëheqja amerikane është vënë në pah në shumë rajone.

“Unë pres që vitin e ardhshëm të kemi përparime të tjera dhe të përshpejtojmë të gjitha këto ndryshime”, thotë z. Kirby.

Por mbështetja e SHBA-së për aleatin e saj më të afërt në Lindjen e Mesme tani po kritikohet, pasi Hamasi kreu sulmin terrorist më 7 tetor në Izrael.

Sulmet hakmarrëse të Izraelit kundër Hamasit, grupit që është përcaktuar si terrorist nga SHBA-ja kanë shkaktuar shumë viktima civile në Rripin e Gazës, duke nxitur zemërim në botën arabe dhe duke kërcënuar stabilitetin e rajonit, veçanërisht nëse grupe që kanë përkrahjen e Iranit si Hezbollahu i bashkohen luftës.

Përveç kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit, lufta në Gazë është një tjetër barrë e politikës së jashtme ndërsa Presidenti Biden përgatitet për fushatën zgjedhore të vitit 2024.

“Publiku sinqerisht është i lodhur nga një politikë e jashtme që luan rolin e një aktivisti. Ajo që po shohim është se ndërsa SHBA vazhdon mbështetjen për të gjitha qëllimet e axhendës së politikës së jashtme, kjo vetëm sa do të bëhet gjithnjë e më e vështirë në ditët përpara”, thotë Emma Ashford, analiste nga Qendra Stimson, një organizatë që merret me politikë të jashtme dhe promovon sigurinë ndërkombëtare.

Zakonisht amerikanët zakonisht nuk vendosin se për kë të votojë në varësi të politikës së jashtme, megjithatë përkrahja e zotit Biden për Ukrainën dhe Izraelin dhe kërcënimi për një luftë tjetër në Evropë ose Lindjen e Mesme po i shqetëson shumë amerikanë.

Veçanërisht ndërsa rivali i tij i mundshëm, ish-presidenti republikan Donald Trump, po pretendon se politika e tij e jashtme për ta vënë Amerikën të parën në axhendë, para çështjeve të politikës së jashtme, e mbajti vendin të sigurt dhe të begatë ndërsa ai ishte në detyrë./VOA




Skip to toolbar