SHBA, 800 mijë USD për 4 objekte të dëmtuara nga tërmeti në Durrës

AKTUALITET


Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka qenë sot në Durrës, ku ka ndjekur nga afër punimet që po bëhen për restaurimin e murit të Kalasë. Qeveria amerikane ka dhënë një fond prej 800 mijë dollarësh për rikonstruksionin e katër objekteve të rëndësishme të kulturës, historisë e arkeologjisë shqiptare që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ambasadorja Kim e nisi mesazhin e saj në fjalën e rastit me një ngushëllim për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit teksa theksoi se SHBA është krenare që është pjesë e përpjekjes rindërtuese.


Ajo tha se kur erdhi në Shqipëri në muajin janar, pa se shumë punë po bëhej për procesin e rindërtimit.

“Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm, ka një histori të pasur dhe unë kam vizituar disa vende”, tha ambasadorja Kim.

Ajo theksoi se këto monumente qëndrojnë si dëshmitarë të historisë dhe kulturës së Shqipërisë.

“Një prej objekteve është muri rrethues i kalasë së Durrësit, i cili u dëmtua shumë rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, për të restaurimin e të cilit kanë punuar ekspertët më të mirë të fushës së arkeologjisë, të cilët i falënderoj përzemërsisht”, tha ambasadorja Kim.

Një pjesë e murit të rrëzuar nga tërmeti është ngritur sot për t’u vendosur në vendin e mëparshëm.




Skip to toolbar