SHBA bombardoi Iranin, Rama: Shqipëria qëndron përkrah Trump, regjimi teokratik në Teheran nuk duhet të zotërojë armë bërthamore

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për herë të parë për konfliktin Izral-Iran, pas sulmeve të ndërsjellta me raketa dhe pas bombardimit të kryer nga SHBA-të ndaj bazave bërthamore të zhvillimit të uraniumit nga Teherani.

Rama shprehet se regjimi teokratik në Iran prej 70 vitesh bën propagandë kundër vendeve perëndimore dhe madje ka bërë thirrje të hapur për shkatërrimin e tyre.

Sipas tij një shtet i tillë nuk duhet lejuar të ketë armë bërthamore. Shqipëria, shton Rama, është përkrah përpjekjeve të presidenti të SHBA-së Donald Trump për të mos lejuar Teheranin të zotërojë armë bërthamore.Irani, nënvizon Rama, nuk është thjesht një shtet tjetër që zotëron armë bërthamore, as edhe një diktaturë me ambicie të tilla.

Me një postim në llogarinë e tij në rrjetin social X, kreu i qeverisë shprehet ndër të tjera:

“Ky nuk është thjesht një shtet tjetër bërthamor. As thjesht një diktaturë me ambicie bërthamore. Kjo është një teokraci – e armatosur me retorikë apokaliptike, e zhytur në shtatëdhjetë vjet duke i cilësuar kombet e lira si “Satanike” dhe duke bërë thirrje të hapura për shfarosjen e tyre. Nga çdo aspekt, është një devijim i veçantë – ndryshe nga çdo shtet i armatosur bërthamor, pavarësisht sistemit politik. Si një komb që doli nga humnera e një regjimi brutal ateokratik, si një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara, Shqipëria mbështet fuqimisht përpjekjet e sinqerta të Presidentit Trump për të parandaluar që regjimi teokratik në Teheran të pajiset ndonjëherë me armë bërthamore”.



Skip to toolbar