SHBA me ndëshkime të reja për Dodik, përplasje e ashpër në OKB, Schmidt: Ka kërcënime serioze

AKTUALITET


Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuar është zhvilluar një debat me tone të ashpra, ku temë kryesore ishte situata në Bosnje dhe Hercegovinë. Përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, para syve të mbarë botë konfirmoi se ka kërcënime të mëdha për integritetin territorial të shtetit, të cilat vijnë kryesisht nga liderët e Republika Srpska.

“Kërcënimi ndaj Bosnje dhe Hercegovinës ekziston, pasi përfaqësuesit e Republika Sërpska po flasin vazhdimisht për ndarje të entitetit nga shteti. Dodik ka deklaruar së fundmi se Boshnjakët kanë vetëm 25 për qind të territorit. Kjo kuptohet vetëm si hapësirë për incidente etnike”, tha Christian Schmidt, përfaqësues i lartë për Bosnje dhe Hercegovinën.


Përfaqësuesja e Republika Sërpska e përdori kohën e saj për të sulmunar përfaqësuesin ndërkombëtar, por edhe për të mbrojtur Dodikun nga sanksionet.

“Sundimi i ligjit është nën sulm nga ata që kërcënojnë të përdorin sanksionet ndërkombëtare nga qeveritë e Britanisë dhe Amerikës. Kërcënimet për sanksione po përdoren për të frikësuar zyrtarët e zgjedhur dhe qeveritar, familjet e tyre, bizneset private dhe madje mediat”, tha Zheljka Cvijanoviç, anëtare e presidencës së Bosnje e Hercegovinës.
Reagimi erdhi pasi ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Robert Wood, paralajmëroi sanksione të reja për Milorad Dodik, për shkak të veprimeve të tij që kërcënojnë sigurinë dhe paqen në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Vazhdimi i veprimeve nga disa liderë, përfshirë Milorad Dodik, veçanërisht në mohimin e gjenocidit, na shkakton shqetësim. Srebrenica nuk ishte një gabim, por një fakt i pamohueshëm që në Srebrenicë është kryer gjenocid dhe kjo është përcaktuar nga gjykatat ndërkombëtare”, u shpreh diplomati amerikan, duke shtuar se Rusia po abuzon me Këshillin e Sigurimit për qëllimet e saj, pasi kjo seancë u mbajt me kërkesë të Moskës.

Ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për europën, azinë qendrore dhe amerikat, Miroslav Jença, konfirmoi gjithashtu qëndrimin se ka patur gjenocid të kryer kundër myslimanëve në Bosnje dhe Hercegovinë në korrik të vitit 1995. Këto zhvillime vijnë si një përpjekje e Serbisë me Rusinë për të ndaluar miratimin e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme për gjenocidin në Srebrenicë.




Skip to toolbar