Me tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti në Shqipëri është solidarizuar edhe SHBA, e cila ka nisur drejt vendit tonë ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles. Ambasada Amerikane thotë se ekspertët amerikanë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve.
“Si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për rimëkëmbjen pas tërmetit, USAID ka nisur dje për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles. Këta ekspertë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve, për të përcaktuar nëse ndërtesat dhe infrastruktura kritike në zonat e prekura janë të sigurta”, njofton SHBA.
Edhe shtete të tjera si Italia, Greqia e Franca kanë dërguar ekspertë për vlerësimin e dëmeve që la pas tërmeti në Shqipëri.