Debat në Komisionin për Edukimin/ Boçi: Përse nuk pati asnjë reagim për sherrin e mësuesve tek shkolla “Çajupi”? Kushi: Nuk thashë që arsimi është bahçe me lule
Në mbledhjen e sotme në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti Luçiano Boçi u shpreh se sistemi arsimor nuk i përmbush standardet europiane.
Ai u ndal tek ngjarja e ndodhur disa ditë më parë në shkollën “Çajupi” në Tiranë, ku pati një përplasje mes dy mësuesve,
Boçi pyet drejtpërdrejt se përse nuk pati reagim nga Ministria e Arsimit,- duke shtuar se kjo ngjarje impaktoi të gjithë mësuesit.
“Projektin pilon online mos e paraqisni si arritje. Nuk po them se nuk ka të mira, por ka edhe një problem të madh, diskriminimi arsimor. Regjistrimi online nuk mund të jetë i shkëputur nga harta e re shkollore. Ndërsa tekstet falas kanë qenë të propozuara nga PD. Por sot një fëmijë do të marrë librat e një fëmije tjetër pararendës. Sa i përket shërbimit psiko-social, dua të ndalem tek përplasja mes mësuesve në shkollën ‘Çajupi’ dhe nga ana juaj nuk pati reagim.
Besoj që ngjarja ka impaktuar të gjithë sistemin arsimor në lidhje me pozicionin e mësuesit. Përse nga ana juaj nuk pat reagim për këtë ngjarje. Ju duhet të kishit çuar ekipin e psikologëve për të trajtuar stafin. Do doja të dija një program të saktë për të gjithë fëmijët për shkak të traumave të pandemisë”, tha Boçi.
Nga ana e saj ministrja Kushi, tha se arsimi shqiptar është përmirësuar, por ende ka vend për punë.
Sa i përket pyetjes drejtuar nga deputeti Boçi, ministrja u shpreh se tema e ditës së sotme nuk ishit për problemet e Arsimit shqiptar, por cilat janë arritje e realizuara deri më tani. Po ashtu u shpreh e hapur për sugjerimi që i shërbejnë rritjes së cilësisë në arsim.
“Jam shumë e vetëdijshme që arsimi ka shumë interes. Për asnjë moment nuk thashë se arsimi po lulëzon, përkundrazi për çdo çështje thashë çfarë kemi arritur, por edhe që jemi të vetëdijshme që ka shkolla ku duhet të ndërhyjmë. Në asnjë moment nuk thashë që arsimi shqiptar është bahçe me lule. Këtë dua ta theksoj fort. Qëllimi është që problemet t’i zgjidhim së bashku, jam shumë e hapur për sugjerimet.
Do të kërkoja nga sinqerisht të më jepni sugjerime konkrete, por jo ta përdorim seancën për qëllime politike. Nuk ndodh zoti Boçi që një deputet të bëjë të gjitha pyetjet këtu. Nuk mund ta trajtoni çdo çështje, nuk mund t’ja merrni kohën të gjithëve”, tha Kushi.
Sa i përket sherrit mes mësuesve tek shkolla e mesme “Andon Zako Çajupi”, Kushi tha se rasti u verifikua dhe u respektua hierarkia e institucioneve. “Zyra arsimore ka bërë një reagim dhe ka marrë masë ndaj dy mësuesve. u përdor një kohë e caktuar për ta verifikuar ngjarjen me policinë. Sepse jo gjithmonë lajmet në media janë 100% të vërteta. Jo me një të rënë të lapsit mund të hiqet mësuesja. Ne e verifikuam me policinë dhe gjykuam që mësueset të pezullohen dhe më pas të shkarkohen. Respektojmë institucionet. ka hierarki, struktura që janë të parashikuara për të ndërmarrë veprime. Dhe trajtimin psikologjik po e bëjmë, kemi ngritur një grup pune. uroj të mos ndodhin ngjarje të tilla, është shumë e rëndë. E kuptoj dhe për prindërit është shqetësim i lartë, ndonëse nuk ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës është shumë e rëndë”.