Një shfaqje spektakolare, pranë Piramidës së Tiranës, nga dy sportistët e Red Bull, Senad Grosic dhe Jaka Remec dhuroi emocione të veçanta në Ditën e Verës në kryeqytet.
Ky event emocionues tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të sporteve ekstreme dhe spektatorëve, duke sjellë momente të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.
Bulevardi i Tiranës u shndërrua në një vend të jashtëzakonshëm për këtë shfaqje BMX, ku Grosic dhe Remec shfaqën aftësitë e tyre të jashtëzakonshme dhe hedhjet e guximshme.
Të njohur për talentin e tyre të jashtëzakonshëm dhe performancat e tyre emocionuese, këta atletë sfiduan kufijtë e gravitetit dhe treguan pse janë në majë të lojës së tyre.
Senad Grosic, një emër legjendar në botën e BMX-së, ka magjepsur audiencat globalisht me truket e tij inovative dhe qasjen e tij të guximshme ndaj sportit.
“Kam lindur në Kroaci, por jetoj në Austri. Është hera ime e parë në Shqipëri dhe më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Këtë sport e kam filluar në moshë shumë të vogël, 11 apo 12 vjeç. Unë e dua sportin në përgjithësi, por BMX është diçka që më ka tërhequr shumë dhe jam dashuruar me të. Prej më shumë se 20 vitesh jam sportist profesionist. Këtu në Tiranë kam parë disa sportistë të BMX dhe kjo shfaqje e jona ndoshta do ta bënte më të njohur këtë sport në vendin tuaj sepseë përveç futbollit, ka shumë sporte të tjera”.
Jaka Remec, një yll në ngritje, sjell një stil të freskët dhe dinamik që plotëson fuqinë e pionerit Grosic. Së bashku, ata krijuan një shfaqje magjepsëse për të gjithë dashamirësit e disiplinave të biçikletave.
“Vij nga Sllovenia. Këtë sport e kam nisur në vitin 2012, kur isha 7 vjeç. Me kalimin e viteve më pëlqeu shumë dhe pastaj e mora më seriozisht. E dua shumë, është vërtet i bukur. Më çon në vende të mahnitshme si Tirana, për shembull. Është hera ime e parë këtu dhe është vërtet një vend i këndshëm. Sot është Dita e Verës në vendin tuaj dhe është shumë bukur. Ka shumë njerëz këtu dhe atmosfera është vërtet e këndshme”.
Ky event ishte i hapur për publikun, duke mirëpritur të gjithë të apasionuarit pas sporteve ekstreme, si edhe kalimtarë të rastësishëm që nuk mund t’i rezistonin spektaklit në qiellin e hapur të Tiranës. Përveç performancës BMX, atmosfera festive e Ditës së Verës e bëri këtë aktivitet një nga më të veçantët e sezonit, duke treguar edhe një herë sesa e rëndësishme është kultura e sporteve alternative në jetën urbane të kryeqytetit.
Me këtë performancë magjepsëse, Tirana shënoi një tjetër moment të madh për skenën e sporteve ekstreme në Shqipëri, duke frymëzuar brezat e rinj për të eksploruar pasionin e tyre dhe për të ndjekur ëndrrat e tyre në botën e BMX-së. / abcnews.al