Shkarkimi i Metës, Ruçi jep garanci: Kushtetuesja, së shpejti funksionale

AKTUALITET


Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka zhvilluar të martën një takim me delegacionin e ekspertëve të Komisionit të Venecias të cilët kanë vizituar Shqipërinë, pas kërkesës së bërë nga Kuvendi i Shqipërisë për të dhënë një opinion mbi nismën e kuvendit për të shkarkuar presidentit Ilir Meta për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Në këtë takim Ruçi, “vlerësoi gatishmërinë e angazhimit të Komisionit të Venecias, megjithë kohën e shkurtër të adresimit të kërkesave; seriozitetin e vizitave të ekspertëve të Komisionit në Shqipëri si edhe cilësinë e lartë të raporteve paraprake dhe përfundimtare të opinionit të Komisionit”.


Në këtë takim kreu i Kuvendit ka theksuar se maxhoranca është “maksimalisht e angazhuar për funksionalitetin Gjykatës Kushtetuese”.

Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim merr një rëndësi të veçantë, pasi është pikërisht ky institucion që do të thotë fjalën e fundit për shkarkimin ose jo të presidentit të republikës.

Pra fillimisht komisioni hetimor në përfundim të punimeve të tij do të hartojë një raport përfundimtar të cilin do ta paraqesë për miratim në Kuvend. Në raport do të përfshihet opinioni i Komisionit të Venecias si dhe konkluzionet e ligjvënësve shqiptarë dhe vendimi për shkarkimin ose jo të Metës. Raporti do të kalojë për votim në seancë dhe do të jetë Kuvendi që përmes votës do të vendosë shkarkimin ose jo të Metës. Në përfundim vendimi i Kuvendit do të marrë vulën e Gjykatës Kushtetuese. Ndaj dhe ngritja sa më parë e saj është vendimtare në këtë proces./realstory.al

Kryetari i Kuvendit me delegacionin e Komisionit te Venecias



Skip to toolbar