Shkurtime drastike në ushtrinë amerikane/ Sekretari Hegseth s’kursen as gjeneralët me yje

BOTA


Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara që të shkarkojnë 20% të gjeneralëve me 4 yje që jan në detyrë, në kuadër të një vale shkurtimesh të thella që administrata Trump po i paraqet si përpjekje për efikasitet, por që kritikët i konsiderojnë si hap drejt një ushtrie më të politizuar.

Në një memorandum të zbuluar nga mediat amerikane , Hegseth njoftoi gjithashtu shkurtimin e 20% të pozitave drejtuese në Gardën Kombëtare, si dhe një reduktim shtesë prej 10% të të gjithë gjeneralëve dhe oficerëve të flotës me një yll apo më shumë. Ndër pozitat që pritet të preken janë edhe ato në Marinë, ekuivalente me gradat më të larta të ushtrisë.

Këto masa vijnë pas largimit të më shumë se gjashtë gjeneralëve të lartë nga Presidenti Trump ose vetë Hegseth që nga janari.

Hegsesh ishte shprehur më herët se këto shkarkime nga puna reflektojnë dëshirën e Presidnetit Amerikan për të pasur rreth vetes njerëzit e duhur që do të zbatonë qasjen e re të sigurisë kombëtare.

Që prej marrjes së detyrës, Sekretari i Mbrojtjes ka ndërmarrë hapa për të larguar çdo program ose drejtues që mbështet diversitetin në radhët e ushtrisë, ka kërkuar ndalimin e shërbimit për personat transgjinorë dhe ka nisur ndryshime rrënjësore për të vendosur një standard uniform të aftësisë fizike në të gjitha pozitat luftarake.

Aktualisht, në ushtrinë amerikane shërbejnë rreth 800 gjeneralë, ndërsa vetëm 44 prej tyre mbajnë gradën me 4 yje . Ushtria ka numrin më të madh të gjeneralëve – 219, përfshirë tetë me gradën më të lartë.

Pavarësisht se numri i përgjithshëm i gjeneralëve përcaktohet me ligj, Kongresi nuk është njoftuar paraprakisht për këto ndryshime, përveç një “njoftimi shumë të shkurtër” të dhënë pasdite e së hënes. Këto shkurtimet vijnë si pjesë e një presioni më të gjerë për ulje shpenzimesh, të drejtuar nga administrata Trump dhe Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë i drejtuar nga aleati i tij, Elon Musk.



Skip to toolbar