Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për Real Zefin dhe Korrado Katanan, të akuzuar për shpërthimin me eksploziv në zyrën e noteres Esmeralda Dautit. Nga verifikimi i pamjeve filmike, është fiksuar një motor “T Max” dhe lëvizjet e tij nga zona e ish-Bllokut deri në zonën e Farkës, me të cilin dyshohet se janë larguar autorët pas vendosjes së eksplozivit.
Katana ka përfshirë gjatë dëshmisë së parë edhe shtetasin Real Zefi ndërsa në seancën e së enjtes ka mohuar dëshminë e dhënë në Prokurori, duke pretenduar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe dëshminë e ka dhënë nën presion dhe pa praninë e një avokati. Ndërsa avokati i Real Zefit kërkoi lirimin nga qelia të klientit të tij me pretendimin se nuk ka lidhje me ngjarjen.
Sipas organit të akuzës, personat e mësipërm dyshohet se janë paguar për të kryer veprimin, por nuk arrin dot deri në këtë fazë të provojë se kush janë porositësit. Përveç Katanas dhe Zefit, në pranga ka përfunduar edhe shtetasi Eno Flamuraj, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë.
Masa ndaj Flamurajt do të caktohet veçmas për shkak të veprës penale të përkrahjes së autorëve në krim.