Në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Rland Bejko u shpreh se procesi i integrimit europian i Shqipërisë duhet të ishte mbyllur prej kohësh, nëse do të kishte pasur përgjegjësi të barabartë nga të dyja krahët politikë.
Ai theksoi se Partia Socialiste, si forca aktuale në pushtet, ka mundësinë dhe detyrimin për të çuar përpara këtë proces, ndërsa kujtoi kontributin e Partisë Demokratike në të kaluarën me liberalizimin e vizave.
Sipas Bejkos, Shqipëria sot i ka të gjitha mundësitë për të avancuar drejt BE-së, por theksoi se PS është shndërruar në një parti e cila funksionon më shumë si “parti e kryetarit” sesa si një forcë demokratike.
“Do doja që PD ta kishte mbyllur këtë proces dhe të mos të kishin pse ta diskutonim më procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Po ku do të ishte Shqipëria nëse do të kishte përgjegjësi nga të dyja krahët?! Mendoj se do të ishte integruar më shpejt.
PS e ka këtë fatin që të çojë Shqipërinë në BE dhe duhet të bëjë detyrat e shtëpisë në mënyrë rigoroze. PD bëri një gjë të mirë, që ishte liberalizmi i vizave. Tani jemi në fazën ku Shqipëria i ka të gjitha shanset, sepse edhe BE e kërkon këtë. PS nuk është më një parti demokratike, është një parti vote, është një parti kryetari. PS është edhe më shumë parti kryetari”, tha Bejko.