Shqipëria pret sot Samitin e NATO për Mbrojtjen Kibernetike, bllokohen disa rrugë

AKTUALITET


Sot 9 tetor dhe nesër, Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, ku do të marrin pjesë ekspertë dhe përfaqësues të lartë nga vendet anëtare dhe partnerët e Aleancës.

Ky takim i rëndësishëm do të shërbejë si një forum për të ndarë njohuritë, përforcuar bashkëpunimin dhe krijuar strategji të përbashkëta për t’u përballur me sfidat e vazhdueshme në fushën e sigurisë kibernetike.

Në kuadër të organizimit të këtij eventi, Policia e Shtetit ka vendosur masa të veçanta për kufizimin e lëvizjes në disa zona të kryeqytetit. Nga ora 07:00 e sotme deri në orën 15:00 të nesërme, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe kalimi i këmbësorëve në disa rrugë kryesore.

Ndalesat do të prekin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga semafori pranë Presidencës deri në sheshin “Nënë Tereza”, duke përfshirë edhe sheshin), rrugën “Gjergj Filipi”, si dhe aksin që lidh hotel “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për këmbësorët, gjatë kohës së konferencës do të jetë i mbyllur trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve. Këto masa janë marrë për të garantuar sigurinë dhe rrjedhshmërinë e eventit.



Skip to toolbar