Shqipëria zgjeron rrjetin diplomatik, hapet ambasada në Australi

AKTUALITET


Shqipëria do të ketë ambasadë në Australi. Qeveria ka miratuar vendimin për të hapur seli diplomatike në Kanberra të Australisë. Lajmin e ka dhënë Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. “Qeveria e Shqipërisë sot ka marrë vendim për hapjen e ambasadës të Republikës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë! Ky vendim është në shërbim të zbatimit të strategjisë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të zgjeruar rrjetin e ndërveprimit politik ndërkombëtar dhe rritur numrin e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë në përgjithës”, shkruan Cakaj.

Hapja e ambasadës në Australi, sipas Cakajt, ka përfitime të gjera politike dhe diplomatike. Deri më tani, marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Australinë dhe disa vende të tjera në Azi, janë mbuluar nga Ambasasda e Shqipërisë në Pekin.


“Për më shumë, hapja e Ambasadës në Kanberra do të mundëson intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Australisë. Tutje, kjo Ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët (dhe jo vetëm) në Australi (dhe jo vetëm). Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofron afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik”, shkruan Gent Cakaj.

Ky vendim i Qeverisë shqiptare, vjen fill pas nënshkrimit të marrëveshjes për përfaqësi diplomatike t të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk merr vlerë në rastin e Australisë, pasi Kosova e ka ngritur më herët selinë diplomatike në kontinentin australian.




Skip to toolbar