Shtyhet seanca gjyqësore për aferën Partizani në GJKKO. Në seancë nuk u paraqit Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi. Homeplan nuk pati përfaqësues ligjor.
Sali Berisha, dhëndri i tij dhe tre të akuzuarit e tjerë përballën për herë të parë në bankën e të akuzuarve si të pandehur në një proces penal.
Vetë ish-kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitur në seancë, por përfaqësohet nga avokati i tij, Genc Gjokutaj. Në gjyq ishte i pranishëm vetëm dhëndri dhe Xhimi Begeja, ndërkohë që munguan Andia Pustina dhe Fatmir Bektashi. SPAK përfaqësohet nga Arben Kraja, për arsye shëndetësore Enkeleda Millonai nuk merr pjesë. Ndërkohë, trupa gjykuese pyeti Jamarbër Malltezin nëse ka njoftuar Berishën për seancën, pasi OPGJ ia ka lënë atij fletëthirrjen. Mësohet se dhëndri i Berishës ka deklaruar në sallë se nuk e ka njoftuar vjehrrin.
Sali Berisha ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në prokurori, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, është në arrest shtëpiak. Fillimisht, Berisha refuzoi të zbatojë masën e parë dhe për këtë u vendos arrest shtëpiak për 11 muaj. Apeli i Posaçëm i ndryshoi masën e sigurisë duke e lënë në detyrim paraqitje.