Shtyrja e zgjedhjeve lokale? Meta shkel Kushtetutën, rrezikon shkarkimin

#NËRADAR


A mund të shtyhet data e zgjedhjeve vendore në Shqipëri? Kjo është ajo çfarë kërkon opozita përmes protestave, por edhe gatishmëria e shprehur e presidentit të Republikës. Ilir Meta tha dje se është i gatshëm të rishikojë datën e zgjedhjeve si një mënyrë për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Një ditë më parë. Meta: Gati të ndryshoj datën e zgjedhjeve

Argumenti pro është që nuk është hera e parë që në Shqipëri shtyhet data e zgjedhjeve. Kemi rastin e zgjedhjeve lokale të vitit 2007, kur zgjedhjet u shtynë me dy javë, si dhe rastin e fundit të zgjedhjeve të 2017-ës. Pas protestave të vazhdueshme të opozitës dhe çadrës së Bashës më në fund u ra dakord që zgjedhjet të shtyheshin me 1 javë. Pra në të dyja rastet pati dekret të dytë, në rastin e parë nga ish presidenti Moisiu dhe në rastin e dytë nga ish presidenti Nishani.


Po, pse këtë herë është ndryshe situata? Sipas Kodit Zgjedhor data e zgjedhjeve në Shqipëri është e përcaktuar në nenin 8 të tij. Pra zgjedhjet në Shqipëri mund të zhvillohen në dy periudha zgjedhore, konketisht nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor.

KODI ZGJEDHOR

Në pamje të parë duket sikur presidenti mund të dekretojë sërish zgjedhje në 15 shtator.

Por ka një problem, kur vjen puna tek mandati i të zgjedhurve aktuale. Sipas Kodit Zgjedhur neni 10 pika 2  “mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së”.

Sipas këtij neni, KQZ ka shpallur rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit 2015 në 10 gusht të vitit 2015. Çfarë do të thotë kjo? Që në 11 gusht të vitit 2019, në zyrat e kryebashkiakëve duhet të hyjnë fituesit e zgjedhjeve të këtij viti. Nëse presidenti shpall dekret të ri, për shembull më 15 shtator, pushteti vendor mbetet pa drejtues të ligjshëm, në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, zyrat mbeten bosh dhe administrata lokale kalon në kaos. Në rast të rishpalljes se zgjedhjeve lokale në 15 shtator verdikti është i thjeshtë:

Presidenti do ishte në shkelje të hapur të kushtetutës dhe ligjit zgjedhor si aneks i saj. Ngushëllimi i vetëm për mbështetësit e opozitës dhe të Ilir Metës është mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Meta në këtë rast do të mund të bënte ç’të donte. Por menjëherë pas ngritjes së kësaj gjykate, me siguri do ishte subjekt direkt i një procesi që mund të çojë në shkarkimin e tij.




Skip to toolbar