Shuhen zjarret në Finiq dhe Delvinë, vijon monitorimi i situatës

AKTUALITET


Shuhen zjarret në Finiq dhe Delvinë, vijon monitorimi i situatës
Forcat operacionale të disa qyteteve bënë të mundur të premten shuarjen e zjarreve që u përhapën mesditën e së enjtes në Finiq dhe Delvinë.

Situata problematike përfshiu rrafshin e kodrave që ndan dy bashkitë, duke rrezikuar pyjet, ullishtet dhe parkun arkeologjik të Finiqit.

“Pas një pune të pandërprerë edhe gjatë natës nga forcat operacionale nga bashkitë Finiq, Delvinë, Himarë, Sarandë, Konispol e Dropull, mbështetur nga 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar është bërë e mundur shuarja e zjarreve në Finiq dhe Delvinë,” njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi në kushtet e temperaturave të larta dhe në terrene të vështira.

Ministri Pirro Vengu përgëzoi një ditë më parë forcat zjarrfikëse për shmangien e dëmeve të mëtejshme dhe në njerëz, “të gjithë pasurisë kulturore në park, pjesa e bazilikës, thesarit të vjetër sikundër edhe amfiteatrit”.



Skip to toolbar