Opozita po lufton “30 qershorin” e amerikanëve, me armët e… amerikanëve

#NËRADAR


Të enjten pas mesdite, Voltana Ademi kryebashkiakja e Shkodrës, në cilësinë e Kryetares së Shoqatës së Bashkive, regjistroi pranë Gjykatës Kushtetuese padinë për “Konstatimin e antikushtetues të procesit zgjedhor të 30 qershorit, si dhe verifikimin e kushtetueshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e 30 qershorit 2019”. Ky është veprimi i fundit i strategjisë së re, që po ndjek opozita për të zhvleftësuar “30 qershorin” dhe votimet e asaj dite.

Partia Demokratike e Lezhës ka depozituar një padi në prokurori, përmes të cilës ka paditur KQZ, komisionerët dhe numëruesit e PS, të cilët organizuan sipas saj “zgjedhje në kundërshtim me dekretin e presidentit”. Si bazë për ngritjen e kësaj padie, dega e PD në Lezhë ka përdorur dekretin e 10 qershorit të Ilir Metës, që anuloi datën 30 qershor si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.


Monika Kryemadhi e paralajmëroi këtë një ditë më herët nga Berati, duke kërkuar ndjekje penale për anëtarët e KQZ.

Sekretari i Përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi, disa ditë më parë, u kërkoi gjykatave që të cilësonin anti-kushtetues procesin zgjedhor të 30 qershorit. Bëhej fjalë për përdorimin e një teknikaliteti të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit mandati i bashkiakëve i marrë nga KQZ, merrte një certifikim formal edhe në gjykatat e shkallëve të para. Disa gjykata në vend konfirmuan mandatin e disa të zgjedhurve vendor, duke nisur me kryebashkiakun e ri të Elbasanit, Gledian Llatja, atë të Librazhdit, Kavajës, Cërrikut.

Por ky formalitet u bë një realitet i hidhur politik për disa prej të zgjedhurve vendorë të 30 qershorit. E para viktimë ishte bashkiakja e re e Durrësit, mandati i së cilës u pezullua nga gjykata e shkallës së parë në Durrës, nga një gjykatëse që pritet të ketë probleme me Vettingun dhe që bashkëshortin e saj, e kishte protestues të rregullt gjashtëmujor të opozitës. Gjykatësja Margjeka  e argumentoi vendimin e saj bazuar mbi atë që ajo e quan ‘regjistrimin jashtë afateve ligjore të partisë Bindja Demokratike në zgjedhjet e 30 qershorit’. Ky vendim u mirëprit nga PD dhe aleatët e saj në opozitë, të cilët tashmë e përdorin këtë si argument “se 30 qershori ka qenë i paligjshëm”.(Lexo lajmin në Realstory.al).  

Në fakt vendimi i saj ishte absurd, pasi në Gjykatë nuk kishte asnjë kërkesë padi me këtë objekt, ndërkohë që KQZ dhe më pas Kolegji Zgjedhor e kishin rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike më herët në qershor. Kujtojmë se Kolegji Zgjedhor është Gjykatë Apeli pa rekurs dhe vendimet e saj janë të formës së prerë dhe me siguri apelimi që do ti bëjë fituesja Sako, do të miratohet prej gjykatës së shkallës tjetër në Durrës. Por nuk është këtu thelbi i kësaj që po ndodh këto ditë me Partinë Demokratike.

Pas Durrësit, Gjykata e Tiranës vendosi të shpallte moskomptencë për dhënien e mandatit të kryebashkiakut të ri të Vorës, Agim Kajmaku. Në këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, e dërgoi kërkesën e Kajmakut në Gjykatën Administrative, [ka teorikisht do të thotë se edhe Kamza, Paskuqani, Rrogozhina por edhe Tirana e Madhe, do të përcillen në këtë Gjykatë. Të mërkurën, Gjykatës së Tiranës iu drejtua dhe Erion Veliaj me një kërkesë për vërtetimin e mandatit. Me gjasë e gjithë kjo procedurë do të hajë kohë, duke zgjatur kështu rrezikshëm konfirmimin e bashkiakëve të ri, sa më shumë afrohet 10 gushti, që sipas ligjit, është dhe afati i fundit ligjor i qëndrimit të bashkiakëve të vjetër në zyra.

Burime nga Partia Socialiste thonë se “nuk presin probleme në më shumë se 10 bashki”, por realiteti nuk duket aq optimist.

Procesi ligjor i PD për mosnjohjen e 30 qershorit, nisi më herët, në Komisionin Qendror Zgjedhor. Pas certifikimit të rezultati për kandidatët, KQZ nisi certifikimin dhe shpërndarjen e mandateve për këshilltarët. Por nëse për kandidatët KQZ e miratonte rezultatin me shumicë të thjeshtë, për këshilltarët, sipas Kodit Zgjedhor, duhet shumicë absolute e votave të anëtarëve të KQZ. Në këtë pikë, opozita ka shfrytëzuar “kartën” Klement Zguri, për të bllokuar shpërndarjen e mandateve për këshilltarët në këshillat bashkiakë.

Fakt është  se Zguri ka votuar kundër në këtë proces, duke detyruar Partinë Socialiste të drejohet në Kolegj Zgjedhor (lexo këtu lajmin në Realstory.al) për kërkuar shpërndarjen e mandateve. Po përse janë të rëndësishëm mandatet e këshilltarëve? Që  kryetari i ri i bashkisë i zgjedhur në 30 qershor, të fillojë punën zyrtarisht, duhet të betohet përpara këshilltarëve bashkiakë, pasi këshillat e rinj të konstituohen. Dhe nëse Kolegji punon ditë e natë, 61 paditë do të kërkojnë me gjasë kohë, përtej datës 10 gusht. Pas kësaj date, nga Erion Veliaj e deri te Voltana Ademi, duhet të lënë zyrën, i pari, nëse nuk certifikohet nga gjykata dhe betohet para këshilltarëve, e dyta sepse do të shtonte akuzën e gjashtë penale mbi supet e saj.

Dhe në kohën që Presidenti dhe Basha luajnë në distancë (i pari, duke i kërkuar Ramës të negociojë, qoftë dhe mbi 13 tetorit, dhe i dyti duke luajtur “hapa dollapa” me tezën “Rama Ik”), tashmë askush nuk mund të akuzojë PD për taktikën e saj të re: ajo po shfrytëzon mish mashin e krijuar nga vakumet e reformës në drejtësi dhe cirku presidencial me dekretet dhe afatet, për të justifikuar para ndërkombëtarëve se po ndjek këshillën e tyre: atë institucionale të kontestimit të zgjedhjeve.

Tre ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, duke i bërë thirrje opozitës të hiqte dorë nga aktet e dhunës, u shpreh se 30 qershori mund të kontestohej vetëm në rrugë gjyqësore dhe institucionale, pasi çdo rrugë tjetër do të ishte i papranushëm nga ndërkombëtarët. Sigurisht ai foli në kontekstin e gjykatës kushtetuese, por kjo duket pak rëndësi ka për opozitën. Përfaqësues të saj shpesh i janë referuar këto ditë deklaratës një ditë më pas 30 qershorit të Audrey Glover. E pyetur nga gazetarët nëse do t`i certifikonte zgjedhjet, u shpreh se kjo ishte “kompetencë e institucioneve në vend”.  

Nuk dihet kush e ka sugjeruar këtë strategji të re të opozitës, e cila njëkohësisht e rikthen atë në “legalitet” pas luftës guerrilase politike gjashtë mujore, si dhe rrezikon seriozisht, në mos anullimin e 30 qershorit, obstruksionin e tij me javë e muaj të tërë. Deri sa të afrohet 10 gushti? Derisa të afrohet 13 tetori? Derisa mazhoranca të ulet në tavolinë? Derisa ndërkombëtarët të binden se po ja lanë institucioneve shqiptare, rrëmuja e qëllimshme dhe jo, mund të thellojë krizën? Ilir Meta e tha këtë qartë më herët të enjten: “Kriza në vend, rrezikon të thellohet”.

Me gjasë, ndryshe nga skenari i parë i tij, ai për dhunë e flakë, ky i dyti është më i mundshëm: sepse nuk ka as tym, as flake e as viktima. Por nëse është kështu, është një përpjekje dinake për të përdorur kësaj radhe armët e ndërkombëtarëve, për arritjen e qëllimit që duket kryesor në këtë lëvizje opozitaro-presidenciale: që në 30 qershor nuk kishte zgjedhje.

Një sfidë e fortë, jo ndaj Ramës, po ndaj BE. Jo ndaj qeverisë, po ndaj amerikanëve. Jo ndaj KQZ po ndaj OSBE. Të gjitha këto organizma që luftuan fort që në vend të kishte zgjedhje në 30 qershor, jo si leksion demokracie sesa si shenjë e sundimit të ligjit. Po tani ata nuk ankohen dot. PD dhe Meta po luajnë me kartat e tyre. Gjithsesi ndërkombëtarët janë ndërkombëtarët. Në [do lojë pokeri, ata e kanë pasur gjithmonë një as nën mëngë./Realstory.al/




Skip to toolbar