Si po e transformon Evropën pushtimi rus i Ukrainës

BOTA


Lufta në Ukrainë, është një nga ato ngjarje të rëndësishme, e cila ndodhi pikërisht atëherë kur shumica besonte se trajektoret e historisë ishin vendosur tashmë, dhe rezultatet ishin kryesisht të paracaktuara. Të tilla luftëra krijojnë vija të reja ndarëse që tronditin deri në palcë qeveritë, duke i detyruar ato të rishqyrtojnë parimet e dikurshme të politikave të tyre të jashtme dhe të sigurisë.

Ato rezultojnë të jenë jo aq produkt i një përllogaritje të gabuar e papritur, por më tepër i një keqkuptimi themelor mbi ndryshimet strukturore të fuqisë, që kanë qenë nisur prej vitesh. Edhe kur kanë sukses, peizazhi gjeopolitik që lënë pas, ka pak ose aspak lidhje me atë që ekzistonte më parë.


Mendoni pak për pasojat e luftërave të Napoleonit, dy Luftërat Botërore në shekullin XX-të, dhe fundin e Luftës së Ftohtë. Më e rëndësishmja:luftërat transformuese te sistemeve, nxjerrin në pah shpërndarjen aktuale të energjisë në teatrot kryesore, dhe rikthejnë konkurrencën midis fuqive të mëdha.

Pushtimi i Putinit në Ukrainë, ka vënë tashmë në lëvizje forcat që do ta ndryshojnë Evropën për disa nga dekadat e ardhshme. Së pari, rezistenca kokëfortë e Ukrainës, ka rikthyer rëndësinë e frontit dhe qendrës së sovranitetit kombëtar.

Pas tre dekadash institucionalizmi dhe globalizmi të pas Luftës së Ftohtë, ne jemi kthyer tek bazat e sigurisë kombëtare:Vetëm një Ukrainë sovrane mund t’u sigurojë qytetarëve të saj një atdhe të sigurt. Institucionet ndërkombëtare. nuk mundën ta ndalonin Putinin nga pushtimi i Ukrainës.

Së dyti, nuk ka asnjë zëvendësues për fuqinë e fortë, dhe asnjë vend nuk mund të mbetet i sigurt nëse i mungon një ushtri e fortë, pavarësisht nëse i përket apo jo një aleance ushtarake, pasi NATO-ja dështoi sërish që të garantonte sigurinë e Evropës.

Së treti, paqja nuk duhet të jetë gjithnjë prioriteti i parë në një konflikt. Siç na e kanë treguar ukrainasit kur u sulmuan, synimi s’duhet të jetë arritja e një kompromisi sa më shpejt që të jetë e mundur, por mposhtja e agresorit dhe çlirimi i territorit të kombit.

Së katërti, Gjermania dhe Franca, dy fuqitë më të mëdha në kontinentin evropian, nuk kanë arritur të udhëheqin, duke dëshmuar sërish vërtetësinë e shprehjes se të jesh i madh, nuk është njësoj si të jesh i fortë. Në Gjermani dhe Francë ka pasur një hezitim të dukshëm përballë pushtimit rus të Ukrainës, pavarësisht pohimeve të përsëritura publike të solidaritetit me Kievin.

Lufta e ka detyruar Berlinin dhe Parisin të hedhin poshtë 3 dekadat e politikës së tyre ndaj Rusisë, e cila synonte të “menaxhonte” marrëdhëniet e tyre me Moskën, nëpërmjet një kombinimi të mjeteve ekonomike dhe politike.

Gjatë fjalimit të tij në Bundestag më 27 shkurt, kancelari Olaf Scholz e pranoi hapur se politika gjermane ndaj Rusisë ishte e gabuar. Që nga ai moment, edhe presidenti francez Macron ka hequr dorë nga përpjekjet e tij për të negociuar me Putinin.

Por edhe më e rëndësishme për politikën gjermane, është fakti që lufta e rrëzoi supozimin thelbësor të qasjes së saj “Ëandel durch Hande”, pra besimin se më shumë tregti do ta shtynte  Rusinë (por edhe Kinën) drejt një sistemi politik më të lirë dhe më të hapur.

Në fakt, vendimi i Berlinit për të udhëhequr BE-në në procesin e kalimit nga qymyri dhe energjia bërthamore tek gazi rus, si një portë drejt burimeve të rinovueshme, të mishëruara në projektet e gazsjellësit “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”, vetëm se e ka lënë Evropën edhe më të varur për energji nga Putini.

Ai nuk ka bërë asgjë për ta demokratizuar apo frenuar Rusinë. Më e rëndësishmja:lufta në Ukrainë i ka tronditur themelet e shpërndarjes së vendosur të fuqisë në Evropë, dhe në pritje të fitores së Ukrainës, mund ta riorganizojë atë për dekadat e ardhshme, duke e zhvendosur zemrën e Evropës nga Perëndimi në qendrën e kontinentit.

Pavarësisht nëse do të anëtarësohet apo jo në BE, një Ukrainë e rindërtuar dhe e suksesshme, me popullsinë e saj prej rreth 44 milionë banorësh, dhe me pasurinë e madhe të burimeve natyrore dhe tokave bujqësore pjellore, do ta zhvendoste me siguri qendrën e gravitetit të Evropës.

Një Ukrainë e lirë dhe e suksesshme, do të siguronte një rrëzim të shpejtë të diktaturës së Lukashenkos në Bjellorusi, dhe së bashku me Poloninë , Rumaninë, Finlandën dhe shtetet baltike do t’i jepte rajonit Baltik-Deti i Zi një ndikim të paprecedentë ekonomik dhe politik.

Me një popullsi të përbashkët prej rreth 120 milionë banorësh, ky konfigurim i ri do të ndryshonte rrënjësisht balancën e përgjithshme të fuqisë në Evropë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ajo do ta detyronte Rusinë të pajtohej me realitetin e statusit të saj post-perandorak.

Po ashtu, do ta detyronte Moskës të adresonte çështjen themelore, se si duhet të duket një shtet “normal” rus. Ndërkaq, kjo luftë po rikonfiguron rreshtimet ekzistuese në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke krijuar të reja. Ndryshimi më i rëndësishëm është në marrëdhëniet midis Polonisë dhe Ukrainës.

Mbështetja e madhe nga shteti për refugjatët ukrainas, dhe ndihma spontane e ofruar nga qytetarët polakë, po ndërton një marrëdhënie cilësisht të re midis dy vendeve. Ndërkohë, krimet e kryera nga ushtria e Putinit kundër popullsisë ukrainase, e kanë transformuar qëndrimin dikur miqësor të ukrainasve ndaj Rusisë në një armiqësi të pamëshirshme.

Nga ana tjetër, vendimi i Finlandës dhe Suedisë për të kërkuar anëtarësimin në NATO, do të rikonfigurojë rrënjësisht rajonin baltiko-skandinav, duke krijuar një thellësi gjeostrategjike të madhe për mbrojtjen e aleatëve atje.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, Polonia është shfaqur jo vetëm si një vend kyç i NATO-s në krahun lindor të aleancës, por edhe si fronti kryesor përgjatë kufirit lindor, siç ishte Gjermania Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë.

Megjithëse debati në Uashington mbi mbrojtjen e përparme, dhe natyrën e vendosjeve të ardhshme ushtarake të SHBA-së në Evropë nuk ka mbaruar ende, është e arsyeshme të pritet që asetet ushtarake të SHBA-së përgjatë krahut lindor të shtohen gjatë dekadës së ardhshme. Potenciali ushtarak i Polonisë, i forcuar nga blerja e raketave të reja me rreze të gjatë dhe sistemeve të artilerisë, mbrojtjes ajrore, 32 avionët luftarake amerikanë F-35, e kombinuar me blerjen nga Polonia të 250 tankeve më moderne M1A2 SEPv3, do ta ndryshojë me siguri ekuilibrin ushtarak në Lindje.

Ky transformim, po shoqërohet me një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë politik dhe ushtarak SHBA-Poloni, siç e ka planifikuar Uashingtoni për dekadën e ardhshme në Evropë, në një kohë që riarmatoset edhe NATO. Lufta në Ukrainë, po hedh themelet për një shpërndarje të re të fuqisë në Evropë.

Dështimi i politikës ndaj Rusisë, të ndjekur për 3 dekada nga Gjermania dhe Franca, ka krijuar një vakum lidershipi në Evropë. Që Gjermania ta rimarrë atë, pavarësisht pozitës dominuese ekonomike të vendit në BE, do t’i duhet të që fitojë të drejtën për të udhëhequr. Çështja kryesore me të cilën do të përballet Evropa në të ardhmen, është se çfarë roli do të luajë Britania në NATO, dhe çfarë roli do të luajë veçanërisht Polonia si në NATO, ashtu edhe në BE.

Marina do të mbetet pika më e fortë e Britanisë së Madhe, sidomos tani që po nxehet rivaliteti midis fuqive të mëdha në rajonin e Indo-Paqësorit. Ndërkohë për Poloninë, forcat tokësore do të jenë pjesa qendrore e fuqisë së saj ushtarake.

Por asnjëra prej tyre, në mënyrë të pavarur apo së bashku, nuk mund të marrë një pozicion udhëheqës në Evropë, pa një vendim të qartë nga Uashingtoni, për të miratuar dhe mbështetur materialisht një rikonfigurim të tillë në kontinent.

Dikur, Shtetet e Bashkuara iu drejtuan 2 herë Gjermanisë për të udhëhequr në kontinentin evropian. Në fillim në fundin e Luftës së Ftohtë, më pas më së afërmi kur administrata  e Joe Biden ra dakord të hiqte sanksionet e saj mbi “Nord Stream 2”.

Në secilin rast, Gjermania menaxhoi, në vend se të udhëhiqte, duke u fokusuar tek mjetet politike dhe ekonomike, dhe lejoi me shumë ngurrim që dimensioni ushtarak të hynte në llogaritjen e përgjithshme të fuqisë. Uashingtoni mund të vendosë për herë të tretë t’ia japë këtë shans Gjermanisë.

Por realitetet e luftës në Ukrainë, lufta më brutale në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe kërkesat ushtarake shoqëruese, i kanë zbehur ndjeshëm shanset e Berlinit. Atëherë, çështja është se si do të duket Evropa kur të ndalet lufta në Ukrainë.

Kjo pyetje nuk ka të bëjë me atë se kush dëshiron të udhëheqë Evropën, pasi për këtë ka pretendentë të vjetër dhe të rinj. Përkundrazi, ajo ka të bëjë në thelb, me atë se cili vend mundet ta bëjë. Dhe këtë do ta zbulojmë shumë shpejt.

Shënim: Andrew A.Michta, dekan i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C.Marshall” me seli në Garmish të Gjermanisë.