Si po ushqehet destabiliteti në Ballkan nga lufta në Ukrainë

BOTA


Ndërsa lufta në Ukrainë po e dominon skenën ndërkombëtare, edhe Ballkani është përfshirë nga tensionet e niveleve të larta. Fantazmat e të shkuarës janë shumë të pranishme atje, siç u pa edhe me shpërthimet e fundit të dhunës në Kosovë dhe gjetkë.

Vitet 1990 u karakterizuan nga luftërat midis serbëve dhe grupeve të tjera etnike-fetare (boshnjakë, kroatë, shqiptarë) që përbënin Jugosllavinë. Lufta në Bosnje u pasua me dhunë dhe luftime në Kosovë. Të dyja këto konflikte morën fund kur ndërhyri NATO, dhe kur serbët u dorëzuan përballë epërsisë ushtarake të NATO-s.


Që nga ajo kohë, vendet e Ballkanit janë në kërkim të një vendi për veten e tyre në skenën ndërkombëtare. Çdo vend kërkon siguri, përfitime ekonomike, dhe që të mos mbetet pas vendeve të tjera të Ballkanit. Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është anëtarësimi në organizata të tilla si NATO dhe Bashkimi Evropian.

Shumë prej tyre tashmë janë bërë anëtarë të NATO-s. Disa janë tanimë pjesë e Bashkimit Evropian ose po punojnë për t’u anëtarësuar. Krahas përpjekjes për të përmbushur kushtet dhe plotësuar kërkesat për anëtarësim, vendet kandidate nga Ballkani duhet të përballen me pengesat e vendosura nga vendet e tjera të Ballkanit që janë tashmë anëtare.

Pengesa që i bëri për shumë vite Greqia anëtarësimit të Maqedonisë në NATO për shkak të mosmarrëveshjes mbi emrin, dhe kushtet e Bullgarisë në përpjekjen e saj për anëtarësim në BE, janë shembujt më të përmendur në këtë drejtim. Përhapja e grupeve të ndryshme etnike dhe fetare ballkanike në të gjithë rajonin, është burimi kryesor i shqetësimit.

Shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të Maqedonisë dhe Kosovës, dhe serbët që kanë mbetur jashtë Serbisë jetojnë në Kosovë, Bosnjë brenda Republika S?rpska dhe Malin e të Zi. Mund të mos jetë një rregull absolut, por në përgjithësi, një pjesë e mirë e tensioneve në Ballkan burojnë nga dëshira për të bashkuar ata që kanë mbetur jashtë me trupin kryesor, në ato që cilësohen shpesh si Serbia e Madhe dhe Shqipëria e Madhe.

Tensionet më të fundit dhe më të dukshme të këtij lloji janë ndezur në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, dhe njihet diplomatikisht nga mbi 110 vende. Ajo i ka të gjitha kushtet për të qenë një shtet i pavarur dhe sovran, por përballet me kundërshtimin e fortë nga Serbia.

Vende të ndryshme, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe disa anëtarë të BE-së, mbështesin qëndrimin e Serbisë për arsyet e tyre. Serbët e konsiderojnë Kosovën si një tokë stërgjyshore dhe nuk e kanë pranuar shkëputjen. Historikisht, Beteja e Kosovës e vitit 1389, kur serbët u mundën nga osmanët, është episodi më i rëndësishëm i historisë serbe.

Ata e përkujtojnë atë si ngjarjen themeluese të identitetit serb. Po ashtu thuhet se Kosova ka një rëndësi fetare si vendlindja e ortodoksisë serbe. Në hyrje të Ministrisë së Jashtme të Serbisë shkruhet në gjuhën serbe dhe angleze “nëse Serbia është një burrë, Kosova është vatra e tij”. Dhe kjo shpjegon qartë mentalitetin e Beogradit.

Popullsia e Kosovës është rreth 1.8 milionë banorë, dhe 6 për qind janë serbë etnikë. Ata janë të përqendruar në 4 komuna në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë. Serbët e Kosovës nuk e njohin qeverinë e Kosovës. Dokumentet e identitetit dhe targat e automjeteve janë shndërruar në simbole të kësaj mosmarrëveshjeje.

Nën presionin ndërkombëtar, kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e zbuti qëndrimin e tij dhe tensionet u ulën. Ndërsa tensionet de-përshkallëzohen në një zonë, të tjera ndizen diku tjetër.

Incidenti i fundit i kësaj natyre ndodhi kur një ish-polic serb i Kosovës u akuzua për sulmin në zyrat e komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicën e Veriut. Serbët e Kosovës u ngritën në protestë, vendosën barrikada, bllokuan rrugët dhe synuan zyrat zyrtare. Serbia e vendosi ushtrinë e saj në një nivel të lartë gatishmërie.

Edhe ky tension është shuar dhe gjërat janë kthyer në “normalitet”. Por përkufizimi i normales në këtë rajon. është i ndryshëm nga përkufizimi i normales në rrethana vërtet normale. Serbia është e angazhuar aktivisht për të parandaluar njohjen e Kosovës nga më shumë vende, anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe aty ku është e mundur, për t’i bindur vendet që e kanë njohur Kosovën që ta tërheqin njohjen e tyre.

Kosova ka mbetur jashtë Kombeve të Bashkuara për shkak të kundërshtimeve të Rusisë dhe Kinës, që të dyja anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha në fjalimin e tij të fundvitit se numri i vendeve që nuk e njohin Kosovën është më i madh se i atyre që e njohin atë.

Ai foli për përpjekjet e Serbisë kundër njohjes së Kosovës, dhe pohoi se 9 vende (që të gjitha nga Afrika dhe vende ishullore) e kanë tërhequr njohjen e tyre. Bashkimi Evropian, një aktor kryesor në rajon, ka dallimet e veta të brendshme për çështjen e Kosovës. Shtetet anëtare Rumania, Sllovakia, Spanja, Qiproja dhe Greqia nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Të gjitha këto vende kanë problemet e tyre me pakicat apo etnitë të ndryshme, dhe e konsiderojnë Kosovën si një precedent të mundshëm për rastet e tyre. Anëtarësimi në BE supozohet të jetë një inkurajim, një “karotë’ për zgjidhjen në rrugë paqësore të problemeve në Ballkan.

BE ka një Përfaqësues Special për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, teksa po mbikëqyr negociatat për normalizimin e raporteve midis Serbisë dhe Kosovës. Lufta në Ukrainë ka pasur pasoja edhe mbi natyrën dhe ritmin e marrëdhënieve midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit.

Para luftës, këto vende ishin shumë kritike ndaj BE-së për mos-mbajtjen e premtimeve të saj. Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë, bëri që BE-ja t’i shihte marrëdhëniet e saj me vendet e Ballkanit nga një këndvështrim tjetër dhe nga perspektiva e sigurisë së Evropës.

Rrjedhimisht, Brukseli nisi bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ajo i dha Bosnje Hercegovinës statusin e kandidatit. Edhe Kosova është në rrugën e saj për të arritur liberalizimin e vizave deri në fund të këtij viti. Rusia është një tjetër aktore kryesore në Ballkan.

Rusia dhe Serbia kanë qenë historikisht shumë të afërta midis tyre, pasi janë të lidhura me etninë sllave dhe fenë ortodokse. Në vitet 1990 Rusia e mbështeti fort Serbinë. Por aq sa mundi, sepse në atë kohë, si përsa i përket fuqisë ushtarake ashtu edhe fuqisë diplomatike, Moska nuk ishte në gjendjen e saj më të mirë.

Gjatë viteve të fundit, veprimet e ndryshme të Rusisë në rajon, si përfshirja e saj e pajustifikuar në çështjet kombëtare të Malit të Zi dhe Greqisë, angazhimi i saj me serbët në vende të ndryshme dhe rrjetet e saj me emra të ndryshëm në të gjithë Ballkanin, janë bërë burim dyshimi dhe shqetësimi për shumë njerëz.

Sa i përket luftës në Ukrainë dhe tensioneve Rusi-Perëndim, Serbia duket se është pozicionuar më pranë Rusisë. Ajo nuk i është bashkuar sanksioneve. Madje Serbia ka përfituar edhe ekonomikisht duke bërë marrëveshje të favorshme me Rusinë, siç është ajo për blerjen e gazit natyror rus.

Pavarësisht kësaj, duke shpresuar anëtarësimin në BE, Serbia është e kujdesshme që të mos i vendosë të gjitha “vezët” e saj në “shportën” e Rusisë. Ajo nuk dëshiron të distancohet nga Perëndimi. Përveç kësaj, Serbia nuk është e kënaqur që Rusia e përmend shpesh Kosovën si një pretekst për pretendimet e saj mbi rajonet lindore të Ukrainës.

Vende të tjera, si Turqia dhe Kina, janë gjithashtu aktive në rajon, veçanërisht në sferën ekonomike. Një vend tjetër i mundshëm në Ballkan ku tensionet mund të shpërthejnë sërish në diçka serioze është Bosnja. Milorad Dodik, udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnjës, nuk po e fsheh axhendën e tij separatiste, dhe gëzon një mbështetje të fortë mes serbëve të Bosnjës.

Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, e cila i dha fund Luftës së Bosnjës, krijoi një sistem administrativ shumë të komplikuar, me Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikën Srpska. Disa analistë thonë se sistemi i Dejtonit është i vjetëruar, dhe duhet që të paktën të rishikohet. Por të gjithë janë të shqetësuar seriozisht me rreziqet dhe pasojat e hapjes së Kutisë së Pandorës./ Përkthyer nga CNA.al




Skip to toolbar