Situata me zjarret në vend/ Mbrojtja: 16 vatra zjarri në 24 orë, 4 vijojnë të jenë aktive 

AKTUALITET


Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten ende aktive.

Këto vatra janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Tiranës, Vorës, Durrësit, Fierit, Kuçovës, Poliçanit, Hasit, Vaut të Dejës, Matit dhe Mirditës.

Vatrat aktive janë si më poshtë:

* Bashkia Elbasan: Në vendgrumbullimin e mbetjeve vijon puna për shuarjen e plotë të flakëve. Gjatë ditës së djeshme u ndërmorën veprime për hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë edhe sot punën për shuarjen e plotë të zjarrit.

* Bashkia Finiq: Vatra mes fshatit Grazhdan (njësia Livadhja) dhe fshatit Malçan (njësia Dhivër). Situata është më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Zjarri po monitorohet nga një mjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.

* Bashkia Tiranë: Në fshatin Bulticë, njësia Vaqarr, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i vështirë e bën të pamundur kalimin e mjeteve. Sot do të vijojë ndërhyrja me forca operacionale dhe helikopterin Cougar.

* Bashkia Has: Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, në një sipërfaqe me pyll pishe. Era dhe terreni i thyer e bëjnë të vështirë ndërhyrjen, por puna për kontrollin e flakëve vijon.

Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.

Në dy raste pati dëme materiale:

– Bashkia Fier: Në fshatin Seman i Ri, një banesë u përfshi nga flakët. Pronari u transportua në Spitalin Rajonal dhe banesa pësoi dëme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake.

– Bashkia Vorë: Në fshatin Fushë Prezë, një hangar me bar u përfshi nga flakët duke shkaktuar djegien e 1600 dëngjeve me bar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve.



Skip to toolbar