Sizmologu grek takon Ruçin, Pavlidis: Rregulla të rrepta për ndërtimet

AKTUALITET


Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilloi të dielën një takim me sizmologun grek Spiros Pavlidis. Ruçi dhe Pavlidis diskutuan për tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri. Kreu i Kuvendit e falënderoi sizmologun grek për kontributin e krijimit të hartës sizmike të Shqipërisë, ndërsa u shpreh se vendi duhet të rishikojë legjislacionin mbi tokën, mjedisin, ujrat etj.

“Tërmeti i 26 nëntorit më ka shtyrë mua personalisht, por edhe si Kryetar i Kuvendit, të reflektoj mbi nevojën e rishikimit të legjislacionit e procedurave, jo vetëm në fushën e ndërtimeve, por në të gjitha marrëdhëniet e veprimet tona mbi natyrën dhe burimet e saj. Unë kam vlerësim të lartë për punën tuaj si edhe të gjithë ekspertëve grekë dhe bashkëpunimin tuaj rezultative me Parlamentin dhe Qeverinë, për të hartuar legjislacionin, procedurat dhe rregulloret antisizmike”.


“Prandaj, e konsideroj të nevojshme rishikimin e kujdesshëm të legjislacionit mbi tokën, mjedisin, ndërtimet, ujrat, parandalimin e fatkeqësive natyrore e çështje të tjera që lidhen me natyrën, burimet, pasuritë, por edhe dukuritë e saj. Asnjë paragraf i legjislacionit tonë nuk duhet të devijojë nga mirëkuptimi me natyrën dhe ligjësitë e saj. Kuadri ynë ligjor duhet të respektojë në mënyrë rigoroze ligjësitë e saj dhe rezultatet e shkencave natyrore, gjeologjike, fizike etj. Për këtë do të mirëprisnim edhe kontributin tuaj si edhe të universiteteve dhe ekspertëve të shquar grekë dhe nga vende të tjera”, tha ndër të tjera Ruçi.

Ndërkohë, profesori grek i sizmologjisë, u shpreh se duhet më shumë bashkëpunim mes sizmologëve, gjeologëve, shkencëtarëve dhe politikanëve dhe ligjvënësve. Ai tha se Greqia dhe Italia kanë përvoja të shkëlqyera në studimin e tërmeteve. Sipas Pavlidis, këto përvoja dhe legjislacioni i këtyre vendeve mund të përshtatet edhe për Shqipërinë.

“Greqia dhe Italia kanë përvoja të shkëlqyera në studimin e dukurive sizmike, mbrojtjen prej tërmeteve, kufizimin e pasojave të tyre dhe edukimin e popullsisë me kulturën antisizmike. Ju kini shkencëtarë të shquar, me të cilën ne kemi bashkëpunuar dhe po bashkëpunojmë. Legjislacioni dhe rregulloret greke dhe italiane mund të përshtaten mjaft mirë për Shqipërinë sepse jemi në të njëjtën zonë sizmike. Kjo gjë duhet bërë menjëherë”.

“Legjislacioni dhe rregulloret duhet të parashikojnë dy aspekte: të gjitha ndërtimet e reja duhet të mbështeten në rregullat e rrepta antisizmike, ndërsa ndërtimet ekzistuese duhet të kontrollohen nga aftësitë e tyre për të përballuar lëkundje të mundshme sizmike, karakteristike për zonën sizmike ku bën pjesë Shqipëria. Ju keni një hartë sizmike të hartuar nga sizmologë të shquar shqiptarë, por mendoj se kjo hartë duhet të detajohet në harta zonale për të gjithë territorin e vendit. Përveç kësaj, duhet të bashkëpunojmë për të kultivuar kulturën sizmike të popullsia dhe çlirimin e saj prej stresit që shkaktojnë tërmetet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore”, nënvizoi profesori Pavlidis.




Skip to toolbar