“S’ka armëpushim”, Netanjahu refuzon thirrjet e Perëndimit, urdhëron vazhdimin e luftës në Liban

BOTA


Raportimet për afrimin e një armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit nuk janë të vërteta. Kështu është shprehur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë të bërë mëngjesin e sotëm, duke tentuar të sqarojë se ai ende nuk i është përgjigjur propozimit të bërë nga SHBA dhe Franca në lidhje me çështjen.

“Lajmet për direktivën e supozuar për të lehtësuar luftimet në veri janë në kundërshtim me të vërtetën”, tha Netanyahu, i cili po fluturon drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ndër të tjera, lideri izraelit tha se ka “urdhëruar IDF që të vazhdojë luftën me Hezbollaun me forcë të plotë dhe sipas planeve të paraqitura, ndërsa luftimet në Gaza do të vazhdojnë gjithashtu derisa të arrihen të gjitha objektivat e luftës”.

Deklarata e Netanyahu erdhi pasi shumë ministra të kabinetit shprehën kundërshtim të fortë ndaj propozimit amerikano-francez për armëpushim në Liban, duke përfshirë anëtarë të Likud.

Ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz hodhi poshtë propozimet amerikano-franceze duke thënë se “nuk do të ketë armëpushim në veri”.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër organizatës terroriste Hezbollah me të gjitha forcat tona deri në fitore dhe kthimin e sigurt të banorëve të veriut në shtëpitë e tyre”, tha Katz në një postim në platformën ‘X’.

Ndërkohë, ministri i Financave Bezalel Smotrich, një aleat kyç i tij i ekstremit të djathtë deklaroi se “operacioni në veri duhet të përfundojë vetëm me shtypjen e Hezbollahut dhe eliminimin e aftësisë së tij për të dëmtuar popullin në Izraelin verior”.

“Ne nuk duhet t’i japim armikut kohë për t’u rikuperuar nga goditjet e rënda. Të mos i lëmë të riorganizohen për të vazhduar luftën 21 ditë më vonë”, shkroi Smotrich në ‘X’.

Sakaq edhe nga Katari konfirmojnë se nuk ka ende një proces zyrtar negocimi për armëpushimin në Liban. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Mazed Al-Ansari në një konferencë për shtyp  tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë “lidhje të drejtpërdrejtë” midis propozimit të armëpushimit 21-ditor në Liban dhe propozimit të armëpushimit të Gazës, mbi të cilin Katari kishte punuar intensivisht me Egjiptin dhe SHBA-në.4



Skip to toolbar