Skënder Minxhozi replikon me Taulant Ballën: Pse s’i hapim derën vaksinës ruse e kineze?!

AKTUALITET


Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, foli në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për procesin e vaksinimit anti-Covid në vend dhe nëse do t’i marrë qeveria vaksinat ruse e kineze.

Lidhur me këtë, Balla deklaroi se “Për këtë duhet të flasin ekspertët, unë nuk di deri më tani që të dyja këto vaksina të jenë certifikuar nga institucioni përkatës i BE, EMA. Shqipëria pranon ato që janë certifikuar nga EMA. Në Bruksel u informova që stafi i delegacionit të BE në Moskë ishte vaksinuar me vaksinën ruse. Ndërkohë që shumë vende të Gjirit Persik, që njihen për nivel të lartë të sistemit shëndetësor, i ka marrë dhe po i përdor”.


I pyetur nga gazetari Balla nëse ai do ta marrë personalisht këtë vaksinë, numri dy i PS u përgjigj se “Unë personalisht e kam kaluar Covid-in. Ajo që për mua është e rëndësishme është që është e padrejtë në botën globale, që jetojmë sot, që pothuajse gjithë prodhimi i vaksinës sot gjendet në pak vende. Jam krenar që Shqipëria jonë e vogël ka arritur të sigurojë atë mburojën e parë të qasjes me pandeminë. Jam shumë krenar që nesër në Elbasan fillojmë vaksinimin me 80-vjeçarët. Ky është një proces që ne do ta çojmë deri në fund. Kemi bërë një premtim që sot një vit të kemi vaksinuar të gjithë ata që duan të vaksinohen. Ajo që dua të them sot është që ne jemi në rrugë të mbarë, për fatin e mirë kemi mbyllur kontratën me kompaninë më të madhe, me Pfizer kemi 1 milion vaksina. Një gjë e them me plot bindje, kryeministri Rama është 24 orë i angazhuar në kontakte shtetërore dhe personale për të rritur sa më shumë numrin e vaksinave”.

Ndërkohë, nga ana tjetër, analisti Skënder Minxhozi tha në studio se nuk është dakord me politikën që po ndjek qeveria shqiptare, pasi sipas tij, ashtu siç po bëjnë shumë vende të fuqishme, duhet t’i lërë derën të hapur vaksinës kineze e ruse.

“Nuk jam dakord me politikën që ka ndjekur qeveria për procesin e vaksinimit. Është një politikë e bazuar mbi vonesën. Në nëntor Rama vajti për të kontaktuar Pfizer, jo për të bërë shopping, por ishte i vonuar. Duhej ndërmarrë një demarsh shumë shpejt se nëntori. Pati shtete që paguan, që kur Pfizer ishte në eksperimentim. Izraeli është i pari që ka paguar, madje flitet që ka paguar dy-tre fish. Vaksinat nuk janë një çështje tërësisht e shëndetit, por janë një çështje e madhe ideologjike dhe politike. Në këtë fazë, ku një shtet tjetër ka prioritet politikën e jashtme, 4 prioritete, SHBA, BE, Rusi, Kinë, që vetëm ata mund t’ia dalin dot, por sot kanë mbi 2 milionë vaksina. Ne e kemi fituar garën vetëm në Ballkanin Perëndimor në vend të dytë me vaksinat e Pfizer, ndërkohë që ka pak vaksina më pak se ne Bosnja Hercegovina, pastaj Maqedonia e Veriut. Çfarë sensi ka që ne të shohim një shtet si Turqia, një superfuqi rajonale në shëndet, që merr vaksinë kineze. Ne themi o i duam perëndimore, o vdiqëm. Bota nuk ka vaksina dhe në mungesë vaksinash, njeriu për jetë, i drejtohet edhe asaj. Jemi në mars, shifrat e vdekjeve janë të larta, vaksinimi i paktë. Mund të ndodhemi në pikën ku do të vijnë vaksinat dhe të mos na duhen më. Pse marrim vetëm Pfizer dhe nuk i hapim derën edhe të tjerave?”, u shpreh Minxhozi.

Në përgjigjen e tij lidhur me shqetësimin se pse vendi ynë nuk i merr këto vaksina, Balla tha se “Shqipëria ka një politikë të jashtme të drejtuar drejt dy partnerëve, të parashikuar në mënyrë afatgjatë. Neve na intereson që vaksinimi i qytetarëve të bëhet dhe të jetë i sigurt. Vaksina Pfizer ka efektivitet mbi 92%”.




Skip to toolbar