Sllovenia zgjedh presidenten e parë grua

BOTA


Natasha Pirc Musar fitoi rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Slloveni, për t’u bërë presidentja e parë grua e këtij vendi.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës konfirmuan se Pirc Musar mundi kundërshtarin e saj, Anzhe Llogar.


Me mbi 90 për qind të votave të numëruara, ajo fitoi rreth 54 për qind, ndërsa Llogar mori rreth 46 për qind dhe e pranoi humbjen.

“Sllovenia zgjodhi një presidente që beson në Bashkimin Evropian, në vlerat demokratike mbi të cilat u themelua BE-ja”, tha Pirc Musar pas fitores.

Në zgjedhje morën pjesë afro 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Pirc Musar do të zëvendësojë presidentin e deritashëm, Borut Pahor, i cili ka qenë aktiv në politikë për më shumë se 30 vjet.

Kandidatja e pavarur, Pirc Musar, ka qenë gazetare dhe avokate për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ajo ka avokuar, po ashtu, për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe çështjet e mbrojtjes sociale.

Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt tri javë më parë.

Në atë rund, Llogar, ish-ministër i Jashtëm i Sllovenisë, mori më shumë vota. Për të votuan 33.95 për qind e qytetarëve, ndërsa për Pirc Musarin 26.88 për qind.

Këto ishin zgjedhjet e shtata presidenciale në historinë e shtetit të pavarur të Sllovenisë.




Skip to toolbar