Soreca i jep raportin Ruçit: Reforma në drejtësi, arsyeja kryesore e rekomandimit pozitiv

Më të fundit


Ambasadori Soreca i ka dorëzuar sot Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, raportin e progresit të Komisionit Europian për vitin 2019, me rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë, pa kushte.

“Kam kënaqësinë që t’ju dorëzoj raportin, duke rikonfirmuar rekomandimin pozitiv për Këshillin Europian që të çelen negociatat tani dhe pa kushtëzime apo pa kushte. Vendi ka bërë ecuri domethënëse dhe ne besojmë se në këtë raport njihen e vlerësohen të gjitha këto arritje. Reforma në drejtësi dhe rezultatet e saj janë arsyeja kryesore e rekomandimit pozitiv dhe pa kushte për Shqipërinë”, u shpreh ambasadori Soreca.


Ndërsa, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, duke marrë në dorëzim raportin e progresit, falënderoi ambasadorin Soreca që erdhi në Kuvendin e Shqipërisë me këtë lajm të gëzuar për të gjithë shqiptarët dhe nënvizoi se: “Rekomandimi që bën Komisioni Europian është i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike që ata kanë, pasi është një gjë shumë pozitive që në Shqipëri nuk ka euro-skeptikë. Në këtë rast, sigurisht që ky raport vjen menjëherë pasi kanë përfunduar zgjedhjet në Parlamentin Europian, rezultati i të cilit është shumë i mirëpritur nga ne, pasi fituan forcat progresiste pro-europiane. Urojmë dhe shpresojmë shumë që kësaj radhe Këshilli Europian të marr një vendimmarrje. ashtu siç e ka rekomanduar Komisioni Europian”.

Kryetari i Kuvendit Ruçi nënvizoi se reformat integruese janë ndërmarrë nga Kuvendi dhe qeveria e Shqipërisë, jo thjesht se janë rekomanduar nga Komisioni e Këshilli Europian, por sepse u shërbejnë qytetarëve. Reforma në sistemin e drejtësisë është kryereforma jonë. Ai u shpreh se paketa ligjore e reformës ka përfunduar, se ngritja dhe plotësimi i organeve të reja të qeverisjes së sistemit është drejt përfundimit dhe pritet te realizohet brenda këtij sesioni parlamentar. Ruçi u shpreh se ky proces është i pakthyeshëm dhe nuk mund të pengohet nga asnjë forcë apo rrethanë.

 “Vetingu vazhdon normalisht dhe Kuvendi e Qeveria kanë krijuar të gjitha kushtet që ky proces të jetë i painfluencueshëm nga asnjë faktor politik. Lufta kundër Korrupsionit është një prioritet i Parlamentit dhe Qeverisë. Beteja kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve vazhdon. Kuvendi dhe Qeveria po përpiqen të kompensojnë kohën e humbur për realizimin e reformës zgjedhore”,- u shpreh në takim Ruçi.

Në takim ishte edhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili vuri në dukje se bashkë me Kryetarin e Kuvendit do të vazhdojnë kontaktet me parlamentet e vendeve anëtare për t’u shpjeguar në detaje arritjet e Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe dhe reformat e tjera integruese të vendit.




Skip to toolbar