Sot seanca, Malltezi paraqitet në GJKKO

AKTUALITET


Nis këtë të hënë në orën 10:00 seanca e parë për gjykimin në themel të dosjes “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri, njëherësh kryedemokrati Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ortaku i tij Xhim Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financieria, Andia Pustina.

Në një deklaratë për medie, Malltezi hodhi poshtë akuzat kundrejt tij, për përfitim të të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ai artikuloi një sërë akuzash kundrejt kryeministrit Edi Rama, duke thënë se klubi partizani është vjedhur nga vëllai i tij.

Sipas Malltezit, në seanca gjyqësore duhet të thërritet si dëshmitar edhe kryeministri, pasi sikurse pretendon ai, Rama ka hedhur 8 firma në procedurën e privatizimit të klubit Partizani.

Do jem në seancë në GJKKO. Rama duhet të jetë. SPAK-u s’guxon ta thërrasë as poër dëshmitarë. SPAK ka shkuar deri në mashtrim dhe e ka bërë pjesë të dokumentacionit zyrtar. Rama ka 8 firma në këtë procedurë, Berisha asnjë. Partizani është vjedhur nga vëllai i Edi Ramës.  Për klubin, është vjedhur, nuk ka letër”, deklaroi Malltezi.

Pas përfundimit të hetimeve paraprake nga SPAK dhe kalimit të dosjes për gjykim, kjo do të jetë hera e parë kur palët përballen në sallën e gjyqit për të diskutuar në themel akuzat e ngritura.

Berisha do te gjykohet për akuzën e Korrupsionit Pasiv të zyrtareve të lartë. SPAK pretendon se në cilësinë e kryeministrit, ai favorizoi dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në përfitimin e pronës.

Berisha është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa dhëndri i tij, ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi” megjithëse Malltezi ka apeluar vendimin edhe Gjykata e Lartë e refuzoi pak ditë me parë kërkesën e tij, duke e lënë atë në arrest shtëpie.



Skip to toolbar