SPAK i nxori zbuluar, dy efektivë përjashtohen nga Policia e Shtetit

AKTUALITET


Henerigert Mitri e Klodian Shahini, dy efektivë, janë përjashtuar nga Policia e Shtetit. Kjo për shkak se të dy efektivët kanë bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.

Shkeljet u zbuluan nga zbërthimi i Sky – ECC. Në një deklaratë të dhënë më herët, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, ka theksuar se në radhët e policisë nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe bashkëpunon me grupet kriminale.


Bazuar në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, u vendos përjashtimi nga policia për:

1 – Drejtues Henerigert Mitri; me detyrë shef i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4, 333/a/1, 334, 259, 197/3 dhe 248 të Kodit Penal.

2 – Komisar Klodian Shahini, me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80, 284, 28/4, 333/a/1 e 334 të Kodit Penal.. /abcnews.al/




Skip to toolbar