SPAK merr të pandehur kryebashkiakun e Libohovës për kultivim kanabisi!

AKTUALITET


Leonard Hida, kryebashkiaku i Libohovës, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Hida dyshohet se në kohën qe ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.


“Nisur nga të dhënat që disponohen nga shërbimet si dhe ngjarjet e fundit të ndodhura në njësitë administrative “Cepo” dhe “Picar” krijojnë dyshime të arsyeshme se përveç personave të përfshirë në këtë aktivitet janë implikuar edhe punonjës policie.

Ata kanë pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ata kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre e kanë lejuar këtë aktivitet”, thuhet në dosjen hetimore.

Në të njëjtën dosje me Hide janë edhe disa të pandehur të tjerë.

“Kur kandidova për kryetar bashkie nuk isha në dijeni të hetimit, nëse është e nevojshme jap dorëheqjen”, është shprehur Hida.

Bashkë me Hidën, në dosjen e SPAK janë të përfshirë dhe zyrtarë të tjerë policie, që dyshohet se përmes rryshfetit kanë favorizuar kultivimin e kanabisit.

Hida është zgjedhur kryetar bashkie në Libohovë nga radhët e Partisë Socialiste, në zgjedhjet e 14 Majit të vitit të kaluar.

Pa mbushur ende një vit në detyrë, tashmë ai është një i pandehur më shumë në listën e kryebashkiakëve që kanë llogari të hapura me drejtësinë.




Skip to toolbar