Spanja e përmbyll dhe Belgjika nis kryesimin e BE-së

BOTA


Spanja me fundin e vitit 2023 e përmbyll kryesimin e Bashkimit Evropian (BE) për t’ia dorëzuar këtë detyrë Belgjikës.

Kështu Belgjika, vendi në të cilin edhe ndodhet selia e Bashkimit Evropian, dhe i cili ishte i pari që kishte rolin e kryesuesit kur ky sistem u vendos, do të kryesojë për të 13 herë me radhë.

Dhe ky kryesim i Belgjikës ndodh në një moment kyç për BE-në pasi nga fundi i kësaj presidence, mes datave 6 dhe 9 qershor, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane.

E, për Belgjikën, dita e zgjedhjeve do të jetë edhe më e rëndësishme pasi në të njëjtën ditë me zgjedhjet për Parlamentin Evropian, do të zhvillohen edhe zgjedhjet nacionale, edhe ato rajonale edhe ato lokale. Pavarësisht, kësaj Qeveria e Belgjikës ka premtuar se do të ketë kapacitete të duhura dhe fokusin e mjaftueshëm për ta kryer detyrën e kryesuesit të radhës me sukses.

Edhe Spanja gjatë kryesimit të saj me BE-në në pjesën e dytë të vitit 2023 kaloi përmes procesit zgjedhor.


Spanja, gjatë kryesimit të saj me BE-në, ndër prioritetet pati edhe procesin e zgjerimit dhe këtë, po ashtu, pritet ta ketë edhe Belgjika.

Gjatë kryesimit të Spanjës u miratuan vendime historike për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, u shpreh edhe gatishmëria për të nisur negociatat me kusht edhe me Bosnje e Hercegovinën dhe Gjeorgjisë iu dha statusi i vendit kandidat Gjeorgjisë.

Nuk pati asnjë hap të vetëm sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe kjo nuk pritej gjatë kryesimit të Spanjës, e cila është ndër vendet anëtare të BE-së që e kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, Kosova mori pjesë në një samit të Bashkësisë Politike Evropiane që u zhvillua në Granada të Spanjës, si dhe në një samit të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor, i cili u zhvillua në muajin dhjetor në Bruksel.

Diplomatët në Bruksel thonë se në pjesën e parë të vitit 2023, kur kryesimin e BE-së e pati Suedia, pati përpjekje që Këshilli i BE-së të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe eventualisht t’i japë mandat Komisionit Evropian për të përpiluar mendimin rreth këtij aplikimi. Por, as Suedia nuk arriti të sigurojë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për një gjë të tillë, ndërsa Spanja ishte ndër vendet që më së shumti e kundërshtonte këtë.

Tash kur Belgjika merr kryesimin e radhës nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të vitit 2022 kur kryesimin e radhës e kishte Çekia.

“Kjo është edhe çështje ligjore, pasi pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare e në zgjerim vendoset me konsensus. Por, është edhe çështje politike pasi lidhet edhe me sjelljen e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga ky proces”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.

Në dokumentet e Qeverisë së Belgjikës ku përmenden prioritetet, me të cilat do të merret gjatë gjashtë muajve sa do të jetë në krye të BE-së vetëm shkruan se gjatë kësaj periudhe “do të çojë përpara punën në procesin e zgjerimit që është në vazhdim e sipër”.

“Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim e sipër me të gjitha vendet relevante, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në qasjen e meritave individuale, dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit”, thuhet në dokumentin e prioriteteve të Belgjikës, e cila do ta kryeson BE-në në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformative në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore”, thuhet në këtë dokument.

Po ashtu, nënvizohet se pikërisht gjatë kryesimit të Belgjikës me BE-në, më saktësisht më 1 maj të vitit 2024, do të shënohet 20-vjetori i zgjerimit më të madh të Bashkimit Evropian. Belgjika si kryesuese e BE-së e vlerëson këtë si “hap të madh drejt bashkimit dhe prosperitetit të kontinentit të Evropës”.

Belgjika, gjatë kryesimit do të merret edhe me definimin e një agjende strategjike për zhvillimin e BE-së ku zgjerimi do të ketë një vend të rëndësishëm.
Kjo “agjendë strategjike” do ta vendosë bazën për veprimin e BE-së në periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2029.

“Paralelisht presidenca do t’u kushtojë vëmendje të veçantë kapaciteteve të BE-së për të integruar anëtarë të rinj dhe të avancojë reflektimet për reformat e brendshme që nevojiten për një zgjerim të suksesshëm në të ardhmen”, thuhet në dokumentin e prioriteteve të presidencës belge të Bashkimit Evropian.

Sa i përket procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian gjatë kryesimit të Belgjikës do të mund të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pasi për një gjë të tillë ishte miratuar vendimi në takimin e fundit në dhjetor të Këshillit Evropian. Bosnja e Hercegovina do të vlerësohet në muajin mars për të parë nëse i ka përmbushur apo jo disa kushte për të nisur edhe ajo negociatat e anëtarësimit.

Belgjika ka paralajmëruar se do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me fqinjët evropianë që nuk janë në BE, nga Zvicra e deri te Ballkani Perëndimor, për t’u përballur me sfidat e përbashkëta si siguria e furnizimit me energji dhe çështjet e migrimit. Po ashtu, Belgjika do të mbajë fokusin e BE-së në forcimin e Aleancën me Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkëveprimin me NATO-n./rel




Skip to toolbar