Starton lëvizja brenda PD. Edvin Kulluri-Bashës: Bëhu burrë dhe IK!

AKTUALITET


Pa pritur ende shtatorin nis të kristalizohet lëvizja “Basha ik” në PD. I pari zë i fuqishëm që ka kërkuar të martën më fort se kurrë largimin e Bashës është ish anëtari i Këshillit Kombëtar, Edvin Kulluri. Përmes një statusi në facebook, Kulluri rendit shumë arsye se pse Basha duhet të lërë postin e kryetarit të PD-së dhe të largohet. Kulluri shkruan se prej 6 vitesh nën drejtimin e Bashës PD nuk bën gjë tjetër veçse kritikon e kundërshton qeverinë, por nuk bind askënd dhe nuk ofron asnjë alternativë.

“PD zyrtare ka 6 vjet që vetëm kundërshton, kritikon, denoncon dhe replikon me qeverinë! PD zyrtare nuk bind se është më e mirë se banda e Ramës në pushtet, nuk krijon alternativë dhe ekip të besueshëm. PD zyrtare nuk dëgjon brenda partisë se si mund të jetë më demokratike, më transparente, më krijuese, më alternative, më e djathtë, më e drejtë dhe më reflektuese. PD zyrtare është shndërruar në opozitë e “forcës së zakonit”! Pasqyrë e keqe e vetës dhe kundërshtarit por jo ofertë më e mirë qeverisëse! Mjafton rrumpalla në politikën e jashtme me rastin e Memorialit të Grushtit të Shtetit në Turqi për të kuptuar se ç’shëmti është ky leadership!”, shkruan Kulluri.


Sipas tij, partia është marrë peng nga një njeri i paaftë i cili gënjeu shqiptarët dhe demokratët me 10 revolucione imagjinare, ndërkohë që tani e mban PD vetëm për hallet e tij. Kulluri i bën thirrje Bashës që të largohet dhe të heqë dorë e të mos gënjejë më shqiptarët.

“Demokratët u lodhën, u robtuan nëpër protesta, bojkote dhe marrëzitë e një njeriu dhe rrethit të tij besnik duke bërë vetëm “hapa pas” dhe “asnjë hap para”! Partinë po e mban peng një njeri i paaftë dhe pa asnjë lloj përgjegjësie për dështimet e njëpasnjëshme! Po i tërheq dëshpërishmisht nga “gënjeshtra në gënjeshtër”! 10 revolucione imagjinare ka drejtuar deri tani dhe Rama ndërkohë ka arritur çdo fitore prej humbjeve të PD! Nëse ke halle të tuat këto nuk janë hallet e PD dhe shqiptarëve! Bëhu burrë dhe ik, por ti nuk je i tillë, se burrat nuk fshihen dhe nuk gënjejnë! Burrat mendojnë, burrat bashkojnë, burrat luftojnë, burrat prijnë, burrat fitojnë! Dhe kur nuk i arrijnë këto, ikin “si burrat”!”, shkruan Kulluri.

Më herët Realstory.al e ka paralajmëruar se në shtator do të nisë lëvizja Basha ik brenda PD-së. Pjesë e kësaj lëvizje përveç Kullurit, i cili ka treguar gjatë gjithë kësaj kohe se është një zë i fuqishëm i kësaj lëvizje, do të ketë edhe të tjerë emra figurash të PD-së të larguar nga Basha ndër vite. Ata janë shprehur kundër vendimeve të tij, siç ishin djegia e mandateve dhe refuzimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, dy vendime këto që nxorrën PD-në jashtë çdo sistemi.

Pjesë të kësaj lëvizje do jenë zëra të fortë kritikë të Bashës, që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi e Arben Ristani.

Madje Ibsen Elezi në një prononcim për Realstory.al, pak kohë më parë tha se shumë shpejt anëtarët e lëvizjes Basha Ik do të hartojnë një dokument që synon shpëtimin e PD-së.

Pra lëvizja ka nisur të përvijohet. Ajo që mbetet për t’u parë është qëndrimi i Berishës ndaj saj. Duhet thënë se kohët e fundit Berisha është distancuar qartë nga Basha dhe vendimet e tij dhe nuk ka mbajtur asnjë qëndrim mediatik për situatën në të cilën ndodhet aktualisht PD pa asnjë pushtet as në nivel qendror dhe as në nivel lokal. Më herët realstory ka njoftuar se Basha nuk e gëzon më mbështetjen e Berishës në parti dhe se lideri historik simpatizon një tjetër emër që mbështetet edhe nga ndërkombëtarët. Por deri atëherë ka ende kohë, tani PD-së i duhet të merret me lëvizjen Basha ik që pritet të intensifikohet ndjeshëm në shtator./Realstory.al




Skip to toolbar