“Status i veçantë për shkollat artistike”, Manastirliu: Mbështetje të dedikuar buxhetore

AKTUALITET


Ministria e Arsimit, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, tha se shkollave artistike do t’u jepet statusi i veçantë. Ministrja theksoi se këto shkolla do të kenë gjithashtu edhe mbështetje të dedikuar për të rritur performancën dhe interesin e nxënësve.

Ministrja tha se një tjetër vendim që është marrë sot në mbledhjen e qeverisë ka të bëjë me shkollat speciale, për personat me aftësi të kufizuara, të cilat do të transformohen në qendra burimore.


“Sot kemi ndërmarrë akte të rëndësishme që kanë të bëjnë me sistemin arsimor dhe reformimin e strukturave me orientim specifik sikurse strukturat arsimore me orientim artistik. Vendimi i qeverisë është marrë për të transformuar këto institucione arsimore, në veçanti për shkollat artistike dhe atyre sportive, do t’u jepet status i veçantë sipas plotësimit të kritereve specifike nëpër shkolla. Fëmijët në shkollat artistike do të kenë një kurrikul të posaçme që do të adaptohet sipas kërkesave, do të ketë edheorganizim specifik të këtyre qendrave dhe shkollave, duke u fokusuar jo vetëm në mbështetjen e stafeve por edhe hapjen e këtyre shkollave sipas një niveli autonomie për burimet financire dhe kapaciteteve dhe të gjithë atyre mësuesve, specialistëve të fushave të ndryshme që i përkasin orientimit artistik dhe sportiv. Në këto shkolla, përfitojnë mbi 2700 nxënës, janë shkolla me tradita, pjesë e identitetit tonë arsimor dhe kërkojnë që të fuqizojmë dhe çojmë përpara edhe nëpërmjet formave të reja të menaxhimit, duke iu përshtatur kritereve që duhet të plotësojnë, si Liceu Artistik, i Baletit, shkolla në Durrës, në Elbasan, do të kenë mundësi që të riorganizohen duke përfituar statusin e veçantë sipas kritereve specifike dhe do të kenë mbështetje të dedikuar buxhetore për të rritur performancën e tyre, cilësinë dhe shtuar interesin e nxënësve.Vendimi tjetër që miratuam ka të bëjë me transformimin e shkollave speciale, për personat me aftësi të kufizuar për t’i transformuar në qendra burimore. Këto qendra do të jenë struktura që ofrojnë jo vetëm shërbime arsimi por edhe shërbime rehabilituese, riintegruese për t’i integruar në arsimin e zakonshëm. Do të kenë që të ofrojnë trajnime dhe edukim në vazhdim për personelin mësimor, për të mundësuar që personeli mësimor që sot ofron shërbime në cilësinë e mësuesve ndihmës të kenë kurrikula të dedikuara, plane të personalizuara për fëmijët me aftësi ndryshe në bazë të specifike, në mënyrë që riintegrimi, marrja e një zanati dhe mbështetja e tyre të jetë nga këto struktura që do t’i transformojmë në qendra burimore. Janë 9 shkolla ku ofrojmë shërbime për 520 fëmijë me aftësi speciale. Do të shtojmë numrin e mësuesve të dedikuar por edhe figura të reja brenda këtyre shkollave të mësuesve, që do të ofrojnë jo vetëm arsimim por edhe mësim plotësues apo të tjera shërbime mbështetëse për këta fëmijë dhe familjeve të tyre.”, tha Manastirliu.




Skip to toolbar