Studentët në Serbi vazhdojnë të sfidojnë pushtetin e Vuçiç, në rrugë dhe motoçiklistët e traktoristët

AKTUALITET


Studentët dhe qytetarët kanë ecur prej ditësh në drejtim të kryeqytetit të Serbisë. Dhjetëra protesta e incidente kanë ndodhur vetëm gjatë javës. Presidenti Aleksandar Vuçiq dhe pushteti i tij deri më tani nuk dorëzohen lehtë. Ai thotë, se protestave u ka ardhur fundi, ndërsa studentët thonë se këtë e vendosin ata dhe jo presidenti.

Rruga e gjatë e Millosh Obrenoviqit në qytetin e vogël Obrenovac

Rreth 32 kilometra larg nga qendra e kryeqytetit serb ndodhet Obrenovaci. Qendra e tij ishte e mbushur me njerëz darkën e së enjtes, më 13 shkurt, dy ditë para protestës së madhe të paralajmëruar në Beograd.

Në fillim gjithçka dukej e qetë, por më pas, një radhë njerëzish ecte drejt kryqëzimit të fundit që shpie në dalje të qytetit, afër një shkolle të mesme dhe një taverne serbe. “Aty do të vijnë studentët nga të dyja anët”, thotë Marija, një grua që ecën bashkë me bashkëshortin dhe djalin e tyre. “Jemi nisur sepse e duam këtë vend dhe duam të jetojmë këtu, por jo në një vend ku mbizotëron diktatura”, thotë ajo për DW, ndërsa ecën me flamurin e ngritur në shtizë. “Ka shumë njerëz që ende kanë frikë të dalin në rrugë, por populli është ngritur dhe kjo jep shpresë”, thotë i shoqi, i cili sugjeron që të citohet më shumë e shoqja, pasi të dy mendojnë njësoj.

“Pumpaj…”, brohoret i biri, rreth dhjetë vjeç. Në shqip “pumpaj” do të thotë të fryj, dhe kjo është motoja kryesore e protestave në Serbi. Shumë prej tyre mbajnë pompa për gomat e biçikletave dhe vuvuzela për të bërë sa më shumë zhurmë dhe për të “fryrë” derisa pushteti të “pëlcasë”. Vendtakimi është te shkolla fillore që mban emrin e poetit për fëmijë, mjekut dhe politikanit Jovan Jovanoviq Zmaj dhe te taverna serbe “Čudo” – shqip “Çudia”.



Skip to toolbar