Sulm me armë zjarri në një lokal nate në Prizren, vdes 31-vjeçari nga Kukësi 

AKTUALITET


Një sulm me armë zjarri në Prizren i ka marrë jetën 31-vjeçarit nga Kukësi Visart Cengut si dhe ka lënë të plagosur 27-vjeçarin Rufgen Shehu.

Sipas dëshmisë të të plagosurit dhe personit që i ka transportuar me makinë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, pas një konflikti në një lokal nate me disa qytetarë nga Kosova.

Në momentin që 31-vjeçari Visart Cengu, Rufgen Shehu dhe Arben Basha po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi nga Kosova D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.

Në njoftimin zyrtar, Policia bën të ditur se: Në Morinë, rreth orës 04:25 të mëngjesit të sotëm kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit Visart Cengu, 31 vjec, dhe Rufgen Shehu, 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi Arben Basha, të tre nga Kukësi, ku shtetasit Visart Cengu dhe Rufgen Shehu ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi Visart Cengu ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi Rufgen Shehu, ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Në lidhjen me ngjarjen nga ana e DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës.

Për ngjarjen është komunikuar me Policinë Kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.

Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



Skip to toolbar