Sulmet e Berishës, reagon kreu i SPAK: Jam imun ndaj retorikës politike e mediatike

AKTUALITET


Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë një takimi pune të Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, ka deklaruar se “retorika politike apo presioni mediatik” nuk ndikojnë aspak në punën e tij.

“Retorika politike apo presioni mediatik tek unë si drejtues nuk ka asnjë lloj ndikimi. Jam imun nga retorika politike e përditshme dhe reagimet mediatike. Këtë përpiqem të përcjell tek trupa e prokurorëve të SPAK-ut”, u shpreh Dumani.


“Nuk kanë asnjë lloj ndikimi në punën time si drejtues, por as të prokurorëve dhe hetuesve. Nuk më shqëtëson retorika politike në raport me hetimin. Kemi garancitë kushtetuese të ushtrojmë ndjekjen penale. Nuk na ka munguar as mbështetja buxhetore”, shtoi drejtuesi i SPAK-ut.

Këto deklarata vijnë pas sulmeve të vazhdueshme nga Sali Berisha, familjarët apo gazetarë mbështetës të tij.

Gjithashtu, ky reagim vjen dy ditë pasi Këshilli i Mandateve vendosi “pro” kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Kërkesa e SPAK u aprovua me 5 votat “pro” të mazhorancës, të cilave iu shtua edhe aprovimi i Enkelejd Alibeajt në emër të Partisë Demokratike.

Kështu, Këshilli i Mandateve vendosi me një votim unanim për zhveshjen e Sali Berishës nga imuniteti që i siguron mandati i deputetit, për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë.




Skip to toolbar