Sulmet e Metës ndaj ambasadës, DASH: Po vëzhgojmë situatën

#NËRADAR


Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi të premten, në lidhje me sulmet publike që Presidenti Ilir Meta bëri ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe diplomatëve amerikanë në Tiranë. Në një reagim për Zërin e Amerikës, DASH shprehet se “është në dijeni” të komenteve të Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadës dhe diplomatëve amerikanë dhe se “është duke vëzhguar situatën”.

Pas sugjerimit të djeshëm të ambasadës amerikane në Tiranë që Shqipëria t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta u shpreh me një gjuhë të ashpër duke thënë “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”.


Duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për komentet e djeshme të Presidentit Meta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkura nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”, thotë DASH.

Ndërkohë, Ilir Meta reagoi duke e përshëndetur qëndrimin e DASH. Duke cituar vetëm frazën “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”, Meta e lexon në favorin e tij këtë qëndrim. Ai shprehet se i qëndron besnik qëndrimeve të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë.

“Presidenti Meta i qëndron besnikërisht të gjitha qëndrimeve të tij të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit, që i përsëriti dhe në bisedën zyrtare telefonike që zhvilloi mbrëmjen e 20 nëntorit me Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer. Aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA dhe miqësia e shkëlqyer midis dy vendeve dhe popujve tanë është e palëkundur”, thotë ndër të tjera Meta.




Skip to toolbar