Sulmet kibernetike, Blinken: Shtetet të qëndrojnë së bashku

BOTA


Teknologjia duhet të përdoret për popullin dhe jo kundër tij. Kështu kanë deklaruar ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të cilët kanë marrë pjesë në Forumin Amerikano-Gjerman që po realizohet në Gjermani.

Në një debat të moderuar nga gazetari, Ingo Zamperoni debati i tyre u fokusua në temën “E ardhmja e demokracisë në një botë digjitale”.


Duke risjellë në vëmendje sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, Malit të Zi por edhe Gjermanisë, dy zyrtarët theksuan se për ta “luftuar këtë luftë interneti” duhet që vendet të qëndrojnë bashkë.

Për Blinken, puna e bërë nga Qeveritë nuk është e mjaftueshme pasi duhet bashkëpunimi i të gjithëve, përfshirë edhe kompanive të teknologjive.

Po ashtu, nga aty ministrja gjermane deklaroi se për herë të parë Gjermania do të ketë një strategji kombëtare të mbrojtjes dhe mbrojtja nga sulmet kibernetike do të jetë pjesë e saj.

Blinken, përfitoi nga rasti për të thënë se marrëdhëniet e SHBA-ve me aleatët, në veçanti Gjermaninë janë më të mira se kurrë.

Në takim u diskutua edhe për mënyrën se si Rusia merret me lajmet e rreme dhe dezinformatat e qëllimshme.

Ky formati u lancua në korrik 2021 nga presidenti amerikan Joe Biden dhe më pas ish-kancelarja Angela Merkel.




Skip to toolbar